Pushimet e gjata duket se po humbasin terren përballë udhëtimeve të shkurtra. Në vitin 2026, gjithnjë e më shumë turistë po zgjedhin të largohen vetëm për disa ditë, duke krijuar atë që industria e turizmit e quan “quick getaway”.
Të dhënat e Trip.com tregojnë se kohëzgjatja mesatare e udhëtimeve të rezervuara gjatë muajve të verës varion nga rreth 2.9 deri në 3.8 ditë. Në Europë, ndërkohë, rezervimet për fluturime short-haul janë rritur ndjeshëm krahasuar me një vit më parë.
Arsyet janë të shumta. Për shumë udhëtarë, një udhëtim treditor ose katërditor është më i lehtë për t’u organizuar, kushton më pak dhe kërkon më pak ditë pushimi nga puna. Në vend që të presin për një pushim të vetëm të gjatë gjatë vitit, turistët po preferojnë disa arratisje të shkurtra.
Europa është veçanërisht e përshtatshme për këtë mënyrë udhëtimi. Fluturimet low-cost dhe lidhjet e shpeshta mes qyteteve bëjnë të mundur që një fundjavë e zakonshme të kthehet në një udhëtim jashtë vendit.
Një city break në Romë, disa ditë në Paris, një fundjavë në Barcelonë apo edhe një udhëtim i shkurtër për një koncert po shndërrohen në alternativa ndaj pushimeve tradicionale dyjavore.
Por ndryshimi nuk është vetëm ekonomik. Udhëtari i sotëm duket se po kërkon më shumë eksperienca dhe më pak kohë të kaluar thjesht duke qëndruar në një hotel. Një udhëtim i shkurtër mund të fokusohet në gastronomi, kulturë, evente, natyrë apo eksplorimin e një qyteti të ri.
Ky trend po ndryshon edhe mënyrën se si destinacionet promovohen. Në vend që turistët të bindën për të qëndruar një javë apo më shumë, qytetet po konkurrojnë gjithnjë e më shumë me idenë e një eksperience të plotë në vetëm pak ditë.
Në fund, “pushimet perfekte” nuk po maten më domosdoshmërisht me numrin e netëve. Për shumë udhëtarë, edhe 72 orë mund të mjaftojnë për një shkëputje nga rutina dhe për t’u kthyer me ndjesinë se kanë bërë një pushim të vërtetë./ad
