Disa deputetë të Aleancës kanë zhvilluar këtë të hënë një aksion simbolik para Kuvendit të Kosovës, në protestë për krizën politike. Ata kanë paraqitur fotografitë e deputetëve të Vetëvendosjes me mbishkrimin “Free” – në shqip “Liri”. Deputeti Burim Ramadani ka thënë se deputetët e VV-së janë të nënshtruar ndaj liderit të tyre, Albin Kurti dhe zyrtares së kësaj partie, Dejona Mihali.
“A keni dëgju ndonjëherë ndonjë deputet apo deputete të LVV-së që flet me mendimin e tyre. Përgjigja është jo pasi partia e tyre udhëhiqet me grusht të hekurt pra është jo demokratike. Ky nuk është problem i kufizuar vetëm në LVV. Problemi këtu është se i njëjti model po tentohet në mënyrë të vrazhdë të vendoset në krejt institucionet e Kosovës dhe shtetin e Kosovës”, ka thënë Ramadani.
Aksioni vjen 48 orë para vazhdimit të seancës konstitutive të Kuvendit, të thirrur për të mërkurën në orën 11:00./k.m
