Javën e kaluar, efektivët e Guardia di Finanza-s sekuestruan 157 kilogramë kokainë në pikën e kontrollit të autostradës në qytetin kufitar të Ventimiglia-s, në Liguria.
Efektivët ndaluan një kamion që transportonte kuaj. Shqetësimi i shoferit bëri që ata të dyshonin, ndaj kryen kontrolle më të hollësishme në automjet, me ndihmën e qenve të zbulimit të drogës. Këta të fundit gjetën një ndarje të fshehtë, ku ndodheshin 157 kilogramë kokainë, të ndarë në pako.
Shoferi, një burrë në moshë të mesme që nuk bëri rezistencë, u arrestua për trafik ndërkombëtar droge dhe është lënë në qeli.
Sipas raportimeve të mediave italiane, një gjykatës në Imperia ka konfirmuar masën e arrestit ndaj shoferit, i cili akuzohet për trafik ndërkombëtar droge. I arrestuari ka zgjedhur të mos u përgjigjet pyetjeve të prokurorëve.
Ndërkohë, autoritetet vijojnë hetimet për të përcaktuar shtrirjen e plotë të rrjetit të shpërndarjes dhe për të gjurmuar destinacionin përfundimtar të ngarkesës.
Vlera e kokainës përllogaritet nga 5 deri në 7 milionë euro. Nëse shitet në rrugë, pasi përzihet me substanca të tjera, vlera e saj në treg është edhe më e lartë, rreth 11 deri në 14 milionë euro.
Sa i përket logjistikës së trafikut të drogës, në raport është theksuar se krimi i organizuar që vepron në Liguria nuk është vetëm italian. Përkrah rolit ende qendror të ‘Ndranghetës, raporti evidenton “një bashkëpunim tashmë të barabartë me krimin e organizuar shqiptar, i cili gradualisht ka braktisur funksionet e thjeshta të krahut të punës për t’u specializuar në shërbimet logjistike, duke u marrë me marrjen, magazinimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike dhe që, në të njëjtën kohë, ka treguar një autonomi operacionale gjithnjë e më të madhe.”
Kokaina, e prodhuar kryesisht në Amerikën e Jugut (Kolumbi, Peru, Bolivi), transportohet me rrugë detare ose ajrore drejt Evropës, përmes porteve të Spanjës, Belgjikës, Holandës dhe Italisë, dhe më pas shpërndahet me kamionë dhe furgonë përmes autostradave kryesore./mxh
