Nga Mentor Kikia
“Rrjeti”, dmth njerëzit, reaguan sot masivisht lidhur me audio-regjistrimin që bëri publik i penduari i “çetës” Arben Ahmetaj. Media nuk u mor me këtë temë, se kishte ca punë të tjera…
Sipas audio-regjistrimit, Ron Yeffet, një biznesmen izraelito-amerikano-shqiptar, mbi të gjitha mik i ngushtë i kryeministrit shqiptar, diskutonte për biznes me disa ukrainas “për t’u shitur armë të blera diku në Afrikë, dhe të paketuara në Shqipëri”- siç shpjegoi edhe Ahmetaj.
Roni(shkurt), drejton komponentin privat në kompaninë 20% shtetërore që i shet ushtrisë shqiptare mjete e paisje në menyrë ekskluzive.
Opozita akuzoi për kontrabandë armësh që bëhet vetë nga qeveria shqiptare, përmes Ronit.
Por këtu nuk ka ndonjë të re.
A nuk ishte kryeministri i Shqipërisë ai që, kur prezantoi makinat MAN dhe Toyota të “prodhuara” në ish-metalurgjinë e Elbasanit, si krenarinë e ushtrisë shqiptare, tha se pas makinave ushtarake, zjarrfikëseve etj, do të shikonim edhe prodhimin e armëve, municioneve, raketave etj.?
Ja, erdhi dita.
I marrim armët në Afrikë, i ripaketojmë dhe i shesim në Ukrainë! Të paktën kështu tregon audio-përgjimi i publikuar nga Ahmetaj.
Përvojën në këtë drejtim e kemi!
A nuk bënte të njëjtën gjë një tjetër amerikan me origjinë hebraike, Efraim Diveroli, dhe ortaku shqiptar Kosta Trebicka (i ndjerë), në vitet 2007–2008, që merrnin municionet kineze në depot e Poliçanit, u hiqnin ambalazhin kinez, u vendosnin ambalazh “fake” amerikan dhe ia shisnin ushtrisë amerikane në Afganistan?
Këta tani, do të merrnin apo po marrin armët kineze e ruse që furnizojnë vendet afrikane ne luftë, për t’ia shitur ushtrisë së Ukrainës, një aleate e NATO-s, kundër rusëve anti-NATO?
Ndryshimi është se në vitin 2007 mashtrimi bëhej me dijeninë e qeverisë shqiptare. Tani, sipas këtij audio-regjistrimi, bëhet nga vetë qeveria.
Por e dini cili është lajmi i vërtetë?
Jo kontrabanda e pretenduar.
Lajmi është se tregtarët ukrainas i thonë bashkëbiseduesit: “Në qeverinë ukrainase, blerja e makinave dhe pajisjeve ushtarake nuk mund të kalojë pa garë.”
Pra, në Ukrainë, që është në luftë prej vitesh, blerja e armëve, makinave dhe pajisjeve ushtarake bëhet me tender.
Pastaj korrupsioni është tjetër gjë, se ku shkon tenderi. Por tenderin e kanë në procedurë, ama.
Ne e kemi hequr.
Ushtria shqiptare i bleu 40 automjete pa garë. Pa trapsparencë. Sa i kushtuan? S’e dimë. Thjeshtë u tha se janë “prodhim shqiptar” dhe duhet të jemi krenarë.
P.S: Jemi në pritje të episodit 7 të serialit “Rrëfimet e Ahmetajt”
