Komisioni i Prokurimit Publik i ka hapur rrugë vijimit të tenderit me fond limit 7.8 milionë euro për mirëmbajtjen e sistemit të fiskalizimit, pasi Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit zbatoi një vendim të mëparshëm që kërkonte rivlerësimin e procedurës.
KPP vendosi më 4 shtator të lejojë AKSHI-n të vijojë me hapat e mëtejshëm të prokurimit për “Mirëmbajtjen e Modulit të Menaxhimit të Kontrollit të Faturimit për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve”. Tenderi ka një fond limit prej 770.8 milionë lekësh pa TVSH, ekuivalent me rreth 7.79 milionë euro.
Vendimi vjen pasi Komisioni kishte pranuar më 20 gusht një ankesë ndaj rezultatit të vlerësimit dhe kishte urdhëruar AKSHI-n të anulonte skualifikimin e një bashkimi operatorësh ekonomikë dhe ta kualifikonte atë në procedurë.
“Autoriteti kontraktor të anulojë vendimin e KVO-së mbi skualifikimin […] duke e kualifikuar atë”, përcaktoi KPP në vendimin e 20 gushtit.
AKSHI i raportoi Komisionit se kishte zbatuar vendimin dhe i paraqiti procesverbalin e shqyrtimit dhe rivlerësimit të ofertave. KPP kreu më pas verifikimin e procedurës në Sistemin e Prokurimeve Elektronike.
Nga ky verifikim, Komisioni konstatoi se AKSHI kishte kryer rivlerësimin dhe kishte kualifikuar ofertuesin e skualifikuar më parë, në përputhje me vendimin e 20 gushtit.
“Autoriteti kontraktor ka kryer rivlerësimin e procedurës së prokurimit”, thuhet në vendim, ndërsa KPP konkludon se AKSHI “ka zbatuar vendimin” e tij të mëparshëm.
Mbi këtë bazë, KPP vendosi që procedura të vijojë. Tenderi, i zhvilluar nga AKSHI për llogari të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, lidhet me mirëmbajtjen e modulit që mbështet menaxhimin dhe kontrollin e faturimit në sistemin e fiskalizimit.
Vendimi i KPP-së nuk përcakton fituesin e tenderit dhe as vlerën përfundimtare të një kontrate. Ai i jep autoritetit kontraktor të drejtën të kalojë në hapat pasues të procedurës pas përfundimit të rivlerësimit të kërkuar nga Komisioni.
Procedura e prokurimit për mirëmbajtjen e Modulit të Menaxhimit të Kontrollit të Faturimit u publikua nga AKSHI më 29 prill 2025, me fond limit 770.8 milionë lekë pa TVSH. Procesi u zgjat në kohë dhe, sipas vendimit të KPP-së, procedura u zhvillua më 5 mars 2026, përpara se të kalonte në fazën e ankimeve dhe rivlerësimit./ Monitor/k.m
