Nga 1 tetori, fëmijët në 85 shkolla publike të Tiranës do të mund të qëndrojnë në shkollë edhe pas përfundimit të mësimit, pa pagesë.
Programi i ri “Pas Shkolle” do t’u japë mundësi nxënësve të bëjnë detyrat, por edhe të marrin pjesë në aktivitete artistike dhe praktike, duke e zgjatur qëndrimin në shkollë deri në orët e pasdites”.
Në Tiranë, programi do të zbatohet në dhjetëra institucione arsimore të përzgjedhura nga Ministria e Arsimit. Në listë janë shkolla si “11 Qershori”, “28 Nëntori”, “7 Marsi”, “Avni Rustemi”, “Bajram Curri”, “Kosova”, “Nënë Tereza”, “Vaçe Zela” dhe “Gjergj Fishta”.
Programi shtrihet edhe në arsimin e mesëm, duke përfshirë gjimnaze të njohura të kryeqytetit si “Sami Frashëri”, “Qemal Stafa”, “Petro Nini Luarasi”, “Partizani” dhe “Ismail Qemali”.
Por “Pas Shkolle” nuk do të thotë thjesht që fëmijët do të qëndrojnë më gjatë në ambientet e shkollës.
Për nxënësit e arsimit fillor parashikohet aktiviteti “Bëjmë detyrat e shtëpisë”, ku fëmijët do të punojnë me detyrat dhe përforcimin e njohurive nën kujdesin e mësuesve.
Pas mësimit do të funksionojnë gjithashtu klube të ndryshme, nga muzika dhe teatri, te arti pamor, kërcimi dhe zejet.
Për fëmijët e ciklit fillor, programi mund të vazhdojë deri rreth orës 15:00, në varësi të orarit të përfundimit të mësimit.
Gjatë kësaj kohe parashikohet edhe një pushim për drekë. Ushqimi nuk do të ofrohet nga shkolla, por duhet të sigurohet nga vetë prindërit.
Pjesëmarrja në program është vullnetare. Prindërit duhet të japin pëlqimin për regjistrimin e fëmijës, ndërsa shkollat do të krijojnë grupet në varësi të kërkesave.
Grupet parashikohet të kenë përgjithësisht 20 deri në 30 nxënës, ndërsa numri i tyre do të përcaktohet në varësi të madhësisë së shkollës dhe interesit për programin./ad
