Last Updated on 12/09/2026 by EL
Qeveria e Republikës së Kosovës ka reaguar këtë të shtunë duke falënderon organizatorët e “Marshit për liri” në Prishtinë. Qeveria gjithashtu shprehu mirënjohje edhe për mijëra qytetarë pjesëmarrës, për sjelljen paqësore, paraqitjen dinjitoze dhe qëndrimet e qarta të shprehura gjatë këtij organizimi.
Qeveria vlerësoi në veçanti bashkëpunimin e treguar nga organizatorët dhe pjesëmarrësit me organet e rendit dhe të sigurisë të Republikës së Kosovës, i cili kontribuoi në mbarëvajtjen e qetë dhe të sigurt të marshit.
Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu gjithashtu ka reaguar lidhur me marshimin duke falenderuar organizatorët dhe qytetarët. Ajo theksoi se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë e drejtë për çlirim.
“Falënderoj organizatorët e Marshit për Liri dhe qytetarët që sot dolën në Prishtinë për ta shprehur paqësisht dhe me dinjitet një qëndrim që në Kosovë ka qenë dhe mbetet i qartë.
Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë e drejtë për çlirim. Ajo erdhi pas viteve të shtypjes dhe dhunës së një regjimi që përdori gjithë aparatin e vet shtetëror kundër shqiptarëve në Kosovë.
Marshi i sotëm tregoi se ky qëndrim mund të shprehet fuqishëm duke ruajtur njëkohësisht qetësinë dhe dinjitetin. Kështu i bëhet nder sakrificës së atyre që luftuan dhe Republikës që u ndërtua mbi atë sakrificë”, tha Haxhiu.
Marshi, i organizuar nga lëvizja qytetare “Liria ka Emër”, zhvillohet në një periudhë kur procesi gjyqësor ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së ka hyrë në fazën përfundimtare. Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë caktuar 16 shtatorin si datën e shpalljes së aktgjykimit, pas më shumë se tre vjetësh nga nisja e gjykimit.
Katër të akuzuarit përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ata i kanë mohuar të gjitha akuzat. Protesta e sotme nuk është e para që organizohet në Kosovë kundër Gjykatës Speciale apo në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Në prill të vitit 2023, një ditë para nisjes së gjykimit ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, mijëra qytetarë marshuan në Prishtinë në mbështetje të tyre. Protestuesit e cilësuan procesin si të padrejtë dhe shprehën përkrahje për luftën e UÇK-së./et
