Last Updated on 14/09/2026 by Monika
Një efektiv policie në Carcassonne të Francës është vënë nën hetim pasi një video e publikuar në rrjetet sociale tregon momentin kur ai përplas me forcë një 29-vjeçar përtokë.
Ngjarja ka ndodhur më 21 qershor, gjatë festivalit “Fête de la musique”, kur policia kishte ndërhyrë pas raportimeve për shqetësime të shkaktuara nga zhurmat. Në pamje shihen disa efektivë dhe njëri prej tyre afrohet nga pas te i riu dhe e hedh në tokë. Pas incidentit, burri shihet duke mbajtur kokën me duar, ndërsa dëgjohen persona që protestojnë. “Po filmohet”, dëgjohet një zë në video.
Prokuroria ka hapur një hetim gjyqësor për “dhunë të qëllimshme nga një person i pajisur me autoritet publik”. Autoritetet sqaruan se 29-vjeçari, i cili ishte i pastrehë, nuk ishte personi ndaj të cilit ishte drejtuar ndërhyrja e policisë. Ai nuk u arrestua dhe nuk bëri kallëzim.
Rasti është bërë edhe më i ndjeshëm pasi më 3 korrik, burri u gjet në arrest kardiak në kampin ku qëndronte dhe më pas ndërroi jetë. Megjithatë, autopsia e kryer më 9 korrik nuk konstatoi dëmtime traumatike të dyshimta që të tregonin për përfshirjen e një personi tjetër.
Hetimi i është referuar edhe Inspektoratit të Përgjithshëm të Policisë Kombëtare franceze (IGPN).
Ngjarja vjen pak ditë pas një tjetër skandali në Carcassonne, ku u publikuan regjistrime të efektivëve të policisë me deklarata raciste, mizogjene dhe teori konspirative. Katër policë u pezulluan. Njëri prej tyre, César R., shfaqet edhe në videon e re, por sipas prokurorisë ai nuk ndërhyri gjatë incidentit.
Rassemblement National, partia e Marine Le Pen dhe Jordan Bardella, e ka përjashtuar César R. nga partia dhe e ka larguar nga ekipi i saj i sigurisë.
