Last Updated on 14/09/2026 by Monika
Drejtësia iraniane ka sekuestruar pasuritë e 240 disidentëve, gazetarëve dhe figurave publike, ndërsa ka ngrirë 182 llogari bankare të personave të akuzuar për veprimtari në favor të “qeverive armiqësore”.
Lajmi është bërë i ditur nga agjencia Mizan, e lidhur me gjyqësorin iranian, ndërsa kreu i Policisë, Ahmadreza Radan, njoftoi të dielën se më shumë se 6 mijë persona janë arrestuar lidhur me protestat e muajit janar.
Sipas Mizan, 143 prej sekuestrimeve të pasurive janë kryer në Teheran. Personat e prekur akuzohen për “aktivitete propagandistike ose veprime kundër vendit dhe në favor të qeverive armiqësore”. Mes tyre janë edhe gazetarë që punojnë për mediat opozitare në gjuhën persiane, Iran International dhe Manoto, si dhe aktivistë e figura publike që jetojnë jashtë Iranit.
Autoritetet kanë sekuestruar edhe pasurinë e Sadegh Saeedi-nia, të cilin mediat iraniane e kanë përshkruar si sipërmarrës. Ai është dënuar me burgim në një prej proceseve më të bujshme kundër kundërshtarëve të regjimit.
Gjyqësori iranian ka bërë gjithashtu më shumë se 2 mijë kërkesa pranë Bankës Qendrore të Iranit për të kontrolluar llogaritë e personave nën hetim, ndërsa ka paralajmëruar se sekuestrime dhe procedime të tjera janë në vazhdim.
Ndërkohë, Radan deklaroi se forcat e sigurisë kishin arrestuar tre anëtarë të Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK), një organizatë opozitare iraniane në mërgim që synon rrëzimin e regjimit në Teheran. Sipas tij, anëtarët e MEK kanë luajtur rol në atë që autoritetet iraniane e cilësojnë si përpjekje për grusht shteti gjatë protestave të dhjetor-janarit.
“Ne nuk do t’i harrojmë protestuesit dhe organizatorët e grushtit të shtetit. Do të vazhdojmë t’i monitorojmë dhe të veprojmë kundër tyre”, deklaroi Radan.
Kreu i Policisë tha gjithashtu se forcat e sigurisë kishin parandaluar që Chaharshanbe Suri, festivali tradicional persian i zjarrit që zhvillohet në prag të Vitit të Ri, të përdorej për të nxitur protesta të reja.
Sipas organizatës monitoruese Iran Human Rights, me bazë në Norvegji, Irani ka ekzekutuar të paktën 532 persona që nga janari, mes tyre të paktën 29 persona të lidhur me protestat e fillimvitit. Sipas organizatës, ritmi i ekzekutimeve është përshpejtuar që nga fillimi i luftës me SHBA-në në fund të shkurtit.
Ayatollah Ali Khamenei, i vrarë në një sulm amerikan ndaj rezidencës së tij në fillim të luftës, ishte ndër figurat që publikisht i kishte cilësuar protestat si një përpjekje për grusht shteti.
