Emisioni “Top Story” ka diskutuar për seancën gjyqësore të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, e cila do të mbahet sot. Gazetari Klodian Tomorri dhe analisti Lorenc Vangjeli kanë komentuar situatën e krijuar rreth çështjes së Veliajt, duke u ndalur te fati i tij dhe ndikimi që kjo situatë ka në drejtimin e kryeqytetit.
Gazetari Klodian Tomorri tha se, përtej spekulimeve mbi luftën e brendshme në Partinë Socialiste, çështja e Veliajt lidhet drejtpërdrejt me fatin e Tiranës.
“Gjithë ne i dëgjojmë historitë për luftën brenda PS, por këtu ka të bëjë me të hyrë pak në spekulim. Në çështjen e Veliajt ka të bëjë me fatin e Tiranës. Ka dy degë, fati i Veliajt dhe fati i Tiranës. Sot Tirana është e marrë peng. 800 mijë qytetarë të Tiranës janë të marrë peng. Pak muaj më parë në Greqi pati një skandal fondesh, ku u morën deputetë në hetim, ata lanë mandatet. Ky është standardi që Shqipëria nuk po e vendos dot, më duket”, u shpreh Tomorri.
Ndërsa analisti Lorenc Vangjeli u ndal te mundësia e një vendimi gjyqësor që do të ndryshonte masën e sigurisë ndaj kryebashkiakut. Ai argumentoi se, në një Shqipëri europiane, Veliaj duhet të rikthehet në detyrë, ndërsa në një situatë arbitrare procesi mund të shtyhet pa sjellë ndryshime konkrete.
“Në një Shqipëri europiane vendimi i gjykatës është i qartë, kryetari i bashkisë duhet të lërë qelinë dhe të shkojë në zyrë. Në një Shqipëri normale kështu duhet të jetë, në një Shqipëri arbitrare më së paku çështja do të shtyhet dhe së dyti nuk do të ndryshojë asgjë. Ka një ngatërresë fantastike që besoj se e çorienton logjikën, këtu bëhet fjalë vetëm për masën e sigurisë. Të gjithë kundërshtarët e rrëzimit të masës së sigurisë, që na i duhet të rrojë në burg ndërkohë që partizanët e ligjshmërisë, thonë që jo janë dy gjëra krejtësisht të ndara, ai e ka marrë burgun paradhënie”, deklaroi Vangjeli./ad
