Të shprehësh emocionet është diçka e shëndetshme, por mënyra se si i shprehim ato mund të bëjë një ndryshim të madh, sidomos gjatë një konflikti.
Njerëzit emocionalisht të pjekur zakonisht janë më të aftë t’i kuptojnë dhe t’i rregullojnë emocionet e tyre, si dhe t’i shprehin në një mënyrë të përshtatshme. Nga ana tjetër, një person emocionalisht i papjekur mund të reagojë ndaj konfliktit duke ngritur zërin, duke u bërë defensiv, duke sulmuar tjetrin ose, në disa raste, duke u larguar.
Sipas psikologut të licencuar Dr. Sal Raichbach, në këto situata konflikti mund të bëhet shumë më i vështirë, sepse personi e ka të vështirë të përballojë shqetësimin dhe të kontrollojë emocionet ndërkohë që reflekton mbi atë që po ndodh.
Megjithatë, ekziston një mënyrë për ta ulur tensionin pa e mohuar atë që personi po ndien.
Fraza që mund ta ndihmojë situatën të mos përshkallëzohet
Raichbach sugjeron të përdorni një fjali të tillë:
“E kuptoj qartë që kjo të ka mërzitur shumë. Jam i/e gatshëm/e ta diskutojmë më tej, por pres që ta bëjmë këtë duke respektuar njëri-tjetrin, pa ofendime dhe pa ngritur zërin.”
Sipas psikologut, kjo frazë funksionon sepse përcjell dy mesazhe njëkohësisht:
“Nuk po i shpërfill emocionet e tua” dhe “Ekzistojnë kufij për mënyrën se si komunikojmë me njëri-tjetrin.”
Pjesa e parë është e rëndësishme sepse i jep personit ndjesinë se emocionet e tij janë të qarta. Kur dikush ndihet i pavlerësuar ose i keqkuptuar, mund të përpiqet edhe më fort të mbrojë atë që po ndien, duke e përshkallëzuar debatin.
Të pranosh emocionin e dikujt, megjithatë, nuk do të thotë se po pranon versionin e tij të ngjarjes. Mund të kuptoni se dikush është i lënduar apo i zemëruar pa qenë dakord me mënyrën se si ai e interpreton situatën.
Kjo është arsyeja pse pjesa e dytë e frazës është po aq e rëndësishme: vendos një kufi të qartë për mënyrën se si do të zhvillohet biseda.
4 fraza që është më mirë t’i shmangni

1. “Po e tepron”
Edhe nëse mendoni se reagimi i dikujt është më i tepruar nga sa kërkon situata, t’i thoni se “po e tepron” mund të tingëllojë sikur po i zhvlerësoni emocionet.
Në vend që të fokusohet te problemi fillestar, personi mund të fillojë të mbrojë të drejtën e tij për t’u ndier ashtu siç ndihet. Kjo mund të sjellë sarkazëm, kundërsulme ose mbylljen e bisedës.
2. “Qetësohu”
T’i thuash dikujt “qetësohu” shpesh e bën emocionin të duket sikur është vetë problemi. Nëse personi tashmë ndihet i keqkuptuar, kjo frazë mund ta bëjë edhe më rezistent.
Një alternativë më e mirë do të ishte: “Ta marrim me radhë. Dua të të dëgjoj, por do ta kemi më të lehtë nëse flasim pak më ngadalë.”
Kështu nuk i mohohet emocioni, por krijohet një mënyrë më e qetë për të vazhduar bisedën.

3. “Je shumë i/e ndjeshëm/e”
Kjo frazë mund të shkaktojë turp ose mbrojtje dhe nuk e zgjidh problemin që shkaktoi konfliktin.
Në vend të kësaj, psikologu sugjeron të përqendroheni te ajo që konkretisht e ka lënduar personin. Mund të thoni: “Nuk e kisha menduar se do të ndikonte te ti në këtë mënyrë. E kuptoj që të ka prekur. Çfarë të ndikoi më shumë?”
Kjo e zhvendos bisedën nga gjykimi i emocionit te përpjekja për ta kuptuar atë.
4. “Kjo është qesharake”
Edhe nëse ju duket se situata nuk ia vlen të debatohet, për personin tjetër mund të jetë shumë serioze.
Sipas Raichbach, një frazë e tillë mund të përcjellë përçmim dhe ta mbyllë menjëherë hapësirën për një bisedë konstruktive. Në vend që të thoni se reagimi është absurd, mund të shprehni mospajtimin tuaj pa e zhvlerësuar tjetrin:
“Unë e shoh këtë situatë ndryshe. Më trego çfarë është më e rëndësishme për ty në këtë çështje dhe më pas do të të shpjegoj se si e shoh unë.”
Fundja, qëllimi nuk është të fitoni debatin, por të krijoni mundësinë që të dyja palët të dëgjohen. Të pranosh emocionet e dikujt dhe, në të njëjtën kohë, të vendosësh kufij për mënyrën se si lejohet të zhvillohet biseda, mund të jetë shumë më efektive sesa t’i kërkosh thjesht “të qetësohet”./k.m
