Last Updated on 15/09/2026 by Monika
Deputetja socialiste Zegjine Çaushi ka reaguar me një deklaratë publike lidhur me përfshirjen e dajës së saj në një rast dhune e përdhunimi të pretenduar nga 34-vjeçarja Merita Gremaj, si dhe plagosjen e babait të kësaj të fundit.
Çaushi ka publikuar një fotografi të dajës së saj me Meritën Gremaj, ku të dy shfaqen të përqafuar, ndërsa 34-vjeçarja mban një tufë me lule në dorë. Deputetja ka treguar se e njeh Gremajn dhe ka rrëfyer rrethanat e takimit me të dhe dajën e saj.
Sipas saj, Gremaj dhe daja i saj i kanë pohuar se kishin vendosur të martoheshin, pavarësisht kundërshtimeve të babait të 34-vjeçares.
Postimi i plotë:
“Duke iu referuar ngjarjes së ndodhur në fshatin Suk 2 dhe të publikuar nga mediat më 14.09.2026 dhe 15.09.2026, dëshiroj të sqaroj opinionin publik lidhur me informacionet e dhëna deri tani.
Familja e nënës sime përbëhet nga 11 fëmijë: 9 motra dhe 2 vëllezër. Të gjithë kanë familjet, punët dhe jetët e tyre, ndaj natyrshëm nuk kemi kontakte të vazhdueshme dhe të pandërprera me njëri-tjetrin.
Vëllain e nënës, Bledar Bakaj, së bashku me znj. Merita Gremaj, e kam takuar rastësisht pas një takimi që kisha në atë zonë, në fillim të muajit qershor. Kam kaluar pranë banesës dhe kam parë të afërm dhe fqinjë, rreth 10-15 veta, në oborrin e banesës. Madje, aty kam takuar edhe një kushëri, të cili Merita Gremaj e kishte njeriun e afërt nga fisi i të atit.
Sapo kam hyrë në oborr kam parë Meritën, e cila m’u prezantua si bashkëjetuesja e Bledarit. I urova padyshim për lidhjen e tyre, pasi atë gjë po bënin edhe fqinjët që ishin prezent dhe më pas, si unë, edhe kushëriri im iu drejtuam: “E keni ndarë mendjen? Do martoheni?”
Merita Gremaj tha: “Po po, i kam marrë parasysh kushtet në të cilat Bledari jeton, edhe pse babai s’e ka me qejf…”
“Se mos na hapni probleme”, iu drejtova pas fjalëve të saj, referuar pëlqimit te babai. Gjëja kaloi me të qeshura dhe urime nga njerëzit e pranishëm.
Kam ndenjur rreth 10 minuta dhe kam lëvizur për angazhimet e mia, të tjerët kanë vazhduar të qëndronin.
Pas disa ditësh, pashë edhe në rrjetet sociale, fotografi të tyre së bashku, të qeshur dhe me lule në duar.
Ky është i gjithë informacioni që kam pasur dhe kam në lidhje me marrëdhënien e tyre. Për këtë ngjarje jam informuar përmes mediave, njësoj si opinioni publik.
Dua ta them shumë qartë: dënoj me forcë çdo formë DHUNE, pavarësisht se nga KUSH është ushtruar.
Në të njëjtën kohë, mendoj se ky është një rast që duhet të trajtohet me seriozitet e kujdes edhe nga këndvështrimi psikologjik, për të dy personat, me qëllim gjetjen e zgjidhjes së duhur dhe parandalimin e çdo përshkallëzimi të mëtejshëm.
Për pjesën tjetër, organet ligjzbatuese duhet të bëjnë punën e tyre”./mxh
