Këshilli i Atlantikut të Veriut është mbledhur sot, më 15 shtator 2026, në formatin e KFOR-it së bashku me vendet partnere kontribuuese me trupa, për të analizuar situatën e sigurisë në Kosovë me komandantin e misionit, gjeneralmajorin turk Ozkan Ulutash. Në raportimin e tij të fundit përpara Këshillit, Ulutash paraqiti përditësimin mbi angazhimin e vazhdueshëm për garantimin e një mjedisi të sigurt dhe të lirisë së lëvizjes në përputhje me Rezolutën 1244 të OKB-së, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin EULEX.
Gjatë takimit ushtarak, vëmendje e veçantë iu kushtua procesit të optimizimit të pranisë së KFOR-it, si rezultat i përmirësimit të vazhdueshëm të situatës së sigurisë në terren. Aleanca nënvizoi se ky hap synon përshtatjen e misionit me nevojat e reja, ndërsa sqaroi prerazi: “Procesi i optimizimit bazohet në kushtet në terren, po zbatohet gradualisht dhe do të jetë plotësisht i kthyeshëm, nëse zhvillimet përkatëse të sigurisë e kërkojnë këtë.” NATO konfirmoi se KFOR-i do të vijojë të mbajë të gjitha kapacitetet e nevojshme njerëzore, ushtarake dhe organizative për të zbatuar mandatin e tij.
Në përmbyllje, NATO rikonfirmoi rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor dhe mbështetjen e palëkundur për procesin e normalizimit mes dy vendeve, duke deklaruar: “Përkushtimi i NATO-s për të mbështetur sigurinë afatgjatë në Kosovë dhe stabilitetin rajonal është i palëkundur. Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja mbetet korniza për zgjidhjen e çështjeve të hapura, duke respektuar të drejtat e të gjitha komuniteteve.” Takimi i sotëm paraprin edhe ndryshimin në komandën e trupave, ku gjeneralmajor Ozkan Ulutash do të përmbyllë mandatin e tij të dytë në mesin e tetorit, për t’ia dorëzuar drejtimin e KFOR-it gjeneralmajorit italian Roberto Vergori./mxh
