Netflix më në fund ka publikuar pamjet e para të shumëpritura të përshtatjes së re të “Pride and Prejudice”, duke u dhënë fansave një ide të parë se si do të duket historia e dashurisë mes Elizabeth Bennet dhe Mr Darcy.
Platforma ka konfirmuar gjithashtu se seriali i ri do të publikohet më 3 dhjetor, ndërsa produksioni do të përbëhet nga gjashtë episode.

Në imazhet e publikuara, Emma Corrin shfaqet në rolin e Elizabeth Bennet, ndërsa Jack Lowden interpreton Mr Darcy. Të dy janë në qendër të historisë së dashurisë të shkruar nga Jane Austen, e cila këtë herë rikthehet në ekran përmes një produksioni të ri të Netflix.
Olivia Colman është transformuar për rolin e Mrs Bennet, e veshur me kostume të stilit të periudhës, ndërsa Rufus Sewell interpreton Mr Bennet dhe shfaqet me flokë më të gjatë dhe gri, në përputhje me personazhin.
Në kast janë edhe Freya Mavor në rolin e Jane Bennet dhe Daryl McCormack si Mr Bingley. Ndërkohë, Jamie Demetriou do të interpretojë Mr Collins.

Një tjetër emër që pritet të tërheqë vëmendjen është Louis Partridge, i cili shfaqet si Mr Wickham me uniformën e tij karakteristike ushtarake në ngjyrë të kuqe.
Rolet e motrave më të vogla Bennet do të interpretohen nga Rhea Norwood si Lydia, Hopey Parish si Mary dhe Hollie Avery si Kitty.
Një histori e njohur, e rikthyer për një brez të ri
Seriali është shkruar nga autorja britanike Dolly Alderton dhe vjen me regji nga Euros Lyn, i njohur edhe për punën në “Heartstopper”.

Duke folur për përshtatjen e romanit të Jane Austen, Alderton e ka cilësuar atë si një histori që mund të rikthehet në ekran vetëm një herë në një brez. Ajo ka thënë se ishte një privilegj të punonte me një vepër kaq të dashur dhe se rikthimi te faqet e romanit i dha mundësinë të gjente mënyra të njohura, por edhe të reja, për t’i sjellë personazhet në jetë.

Sipas saj, “Pride and Prejudice” ka gjithçka që kërkon një histori e mirë: dramë, humor, romancë, familje, miqësi dhe përplasje me rregullat e shoqërisë.

Në kastin e gjerë janë edhe Anjana Vasan si Mrs Gardiner dhe Sebastian Armesto si Mr Gardiner. Pjesë e serialit do të jenë gjithashtu Rosie Cavaliero si Lady Lucas, Saffron Coomber si Mrs Hurst, James Dryden si Mr Hurst dhe Justin Edwards si Sir William Lucas.

Ndërkohë, James Northcote do të interpretojë Colonel Forster, Eloise Webb do të jetë Harriet Forster dhe Isabella Sermon do të shfaqet si Georgiana Darcy.

Me një kast të njohur dhe një prej historive romantike më të dashura të letërsisë, “Pride and Prejudice” është ndër përshtatjet që pritet me më shumë kuriozitet nga Netflix këtë fundvit. Fansat do të duhet të presin deri më 3 dhjetor për të parë se si do të jetë versioni i ri i historisë së Elizabeth Bennet dhe Mr Darcy./k.m
