Azerbajxhani po realizon një ndryshim të thellë të pranisë së tij ekonomike në Evropë. Partneritetet tregtare afatgjata po shndërrohen me shpejtësi në investime të konsiderueshme institucionale, të karakterizuara nga një angazhim i jashtëzakonshëm kapitali në Evropë dhe nga zgjerime strategjike në sektorin e energjisë në Ballkan.
Sipas të dhënave më të fundit mbi flukset e kapitalit të Bankës Qendrore të Azerbajxhanit (CBA), investimet e drejtpërdrejta të Azerbajxhanit jashtë vendit arritën në 5 miliardë dollarë në gjysmën e parë të vitit 2026. Veçanërisht, 3.25 miliardë dollarë nga kjo shumë u drejtuan në Itali, duke shënuar një zhvillim vendimtar në marrëdhëniet ndërmjet dy partnerëve historikë tregtarë. Alokimi i kapitalit azerbajxhanas në Itali u rrit në një nivel 310 herë më të lartë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Italia ka qenë prej vitesh partneri më i madh tregtar i Azerbajxhanit. Të dy vendet synojnë të diversifikojnë portofolin e tyre tregtar dhe të rrisin investimet e ndërsjella.
Rritja prej disa miliardë dollarësh është nxitur nga një zhvillim i paprecedentë: Kompania Shtetërore e Naftës e Azerbajxhanit (SOCAR) siguroi blerjen e një pjesëmarrjeje dominuese prej 99.82% në Italiana Petroli (IP). Duke marrë kontrollin e IP-së – një prej rrjeteve më të mëdha të shpërndarjes së karburanteve në Itali – Azerbajxhani ka realizuar në mënyrë efektive integrimin vertikal të strukturës së tij energjetike. Bakuja nuk po shet më vetëm energji të papërpunuar në Evropën Perëndimore (Azerbajxhani ka qenë i pranishëm në Evropën Lindore prej dekadash); tashmë ai zotëron infrastrukturën, pikat e shitjes me pakicë të karburanteve dhe sistemin logjistik që furnizojnë tregun e brendshëm italian.
Angazhimi financiar i Bakusë u shtri shumë përtej Romës. Ndërsa Italia përbënte pjesën dërrmuese të investimeve të drejtpërdrejta jashtë vendit, kapitali azerbajxhanas u drejtua në mënyrë të konsiderueshme edhe drejt qendrave të tjera strategjike, duke nënvizuar një përpjekje më të gjerë gjeopolitike për të diversifikuar pasurinë e vendit nëpërmjet partnerëve kryesorë rajonalë.
Turqia konsolidoi pozicionin e saj si destinacioni i dytë më i madh i investimeve të Bakusë, duke tërhequr 603.8 milionë dollarë, çka përbën një rritje të konsiderueshme prej 3.4 herë krahasuar me një vit më parë. Mbretëria e Bashkuar pasoi nga afër, duke tërhequr 329.2 milionë dollarë, ose 5.1 herë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025. Ndërkohë, Emiratet e Bashkuara Arabe tërhoqën 270.1 milionë dollarë, duke shënuar një rritje të fortë prej 72.8%, ndërsa Gjeorgjia vijoi të luante rolin e saj të qëndrueshëm si një pike mbështetje rajonale, duke tërhequr 114 milionë dollarë, që përfaqëson një rritje të qëndrueshme prej 47.7%.
Në të njëjtën kohë, Azerbajxhani po shfrytëzon vrullin e tij financiar për t’i shndërruar aleancat diplomatike në projekte të mëdha infrastrukturore në Ballkanin Perëndimor. Vëmendja është përqendruar veçanërisht te Shqipëria, ku projekti madhor “Nur Project” po hyn në fazat përfundimtare vendimtare të planifikimit. Projekti parashikon gazifikimin e plotë të qytetit të Korçës.
Prej vitesh, Shqipëria ka shërbyer kryesisht si territor tranziti për Gazsjellësin Trans Adriatik (TAP), ku gazi i Kaspikut kalon përmes territorit të saj drejt Italisë, pa u konsumuar në tregun vendas. Projekti pilot i Korçës lidhet drejtpërdrejt me linjën kryesore të gazsjellësit të tranzitit, duke krijuar një rrjet të brendshëm shpërndarjeje të projektuar për të furnizuar me energji industrinë prodhuese vendase dhe familjet me energji të pastër. Pas analizave teknike dhe të fizibilitetit të kryera nga autoritetet shqiptare, Korça u përzgjodh për shkak të qëndrueshmërisë së lartë ekonomike të bashkisë nivele të larta të rregullsisë në pagesat e shërbimeve publike.
Misioni diplomatik i Azerbajxhanit në Tiranë konfirmoi se të dy vendet po veprojnë me përparësi të lartë për të përfunduar procedurat rregullatore dhe, më pas, për të nisur fazën e ndërtimit.
Për Bakunë, rrjeti i gazit në Korçë nuk është një projekt i izoluar, ai përbën një projekt pilot që synon të provojë zbatueshmërinë e këtij modeli. Çka është edhe më e rëndësishme, zbatimi me sukses i këtij projekti infrastrukturor mund t’i hapë rrugën një fluksi të konsiderueshëm të kapitalit privat dhe shtetëror azerbajxhanas edhe në sektorët joenergjetikë të Shqipërisë.
Diskutimet paraprake dypalëshe në fushën e tregtisë kanë evidentuar tashmë turizmin, zinxhirët e furnizimit për eksportin e produkteve bujqësore dhe ndërtimi i veprave të mëdha infrastrukturore si sektorët e ardhshëm të natyrshëm drejt të cilëve mund të orientohet portofoli i investimeve të huaja të Azerbajxhanit, i cili po zgjerohet me shpejtësi.
Mbledhja e ardhshme e Komisionit Ndërqeveritar Ekonomik pritet të zhvillohet në Tiranë këtë vjeshtë, për të diskutuar çështjet ende të pazgjidhura dhe për të shkëmbyer mendime mbi fusha të reja të mundshme bashkëpunimi./ad
