Deficiti tregtar i Bashkimit Europian me Kinën ka arritur rreth 1 miliard euro në ditë, duke nxitur Brukselin të paralajmërojë përdorimin e instrumenteve në dispozicion për të ribalancuar marrëdhëniet ekonomike me Pekinin.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha të mërkurën se çekuilibri tregtar me Kinën ka arritur në një pikë që nuk mund të vazhdojë në nivelet aktuale, ndërsa e lidhi atë me presionin në rritje mbi industrinë europiane.
“Deficiti ynë tregtar me Kinën është tani 1 miliard euro në ditë”, deklaroi von der Leyen në fjalimin vjetor për gjendjen e Bashkimit Europian në Parlamentin Europian. Ajo tha se ajo që është cilësuar si një “goditje e dytë kineze” tashmë po reflektohet në fabrikat dhe zonat industriale të Europës.
Sipas saj, BE-ja është në dialog me Kinën për të ribalancuar marrëdhëniet tregtare, por negociatat duhet të japin rezultate konkrete. Von der Leyen tha se kërkesa më e dobët e brendshme në Kinë e bën tregun europian të rëndësishëm edhe për kompanitë kineze dhe se gjetja e një zgjidhjeje është në interes të të dyja palëve.
Komisioni Europian sinjalizoi se, në mungesë të progresit, është i gatshëm të përdorë instrumentet e politikës tregtare që ka në dispozicion. “Do të përdorim të gjitha mjetet që kemi në dispozicion për të ribalancuar marrëdhënien tonë”, tha von der Leyen.
Reuters raportoi se Brukseli kërkon rezultate konkrete nga dialogu tregtar me Pekinin dhe se negociatat e drejtuara nga Komisioneri europian për Tregtinë, Maroš Šefčovič, pritet të japin rezultate deri në tetor.
Çështja e tregtisë me Kinën është kthyer në një nga shqetësimet kryesore për industrinë europiane, në kushtet kur prodhuesit e BE-së përballen me konkurrencë të fortë nga kompanitë kineze në sektorë si automjetet elektrike, bateritë, teknologjitë e pastra dhe pajisjet industriale.
Von der Leyen e lidhi deficitin tregtar edhe me rrezikun e deindustrializimit në disa prej zonave tradicionale prodhuese të Europës. Komisioni ka përdorur gjatë viteve të fundit instrumente të mbrojtjes tregtare në disa sektorë, përfshirë tarifat shtesë ndaj automjeteve elektrike të prodhuara në Kinë.
Një tjetër shqetësim i Brukselit është varësia e industrisë europiane nga Kina për lëndët e para kritike. Sipas von der Leyen, BE-ja është më shumë se 80% e varur nga Kina për shumë lëndë të para kritike, ndërsa për disa toka të rralla varësia arrin në 90%.
Për të reduktuar këtë ekspozim, Komisioni Europian do të krijojë një Korporatë Europiane për Lëndët e Para Kritike, e cila do të ndihmojë në sigurimin dhe krijimin e rezervave të materialeve të nevojshme për industrinë.
Këto lëndë të para janë thelbësore për prodhimin e automjeteve elektrike, çipave, baterive, teknologjive të pastra dhe pajisjeve të mbrojtjes. Sipas Komisionit, objektivi është që vendet e BE-së të bashkëpunojnë në sigurimin e furnizimeve dhe të reduktojnë varësinë nga një numër i kufizuar furnizuesish.
Von der Leyen tha se varësia nga lëndët e para kritike nuk lidhet vetëm me konkurrueshmërinë e industrisë europiane, por edhe me sigurinë ekonomike dhe aftësinë e Europës për të siguruar furnizimet e nevojshme për sektorët strategjikë./ad
