Nga Leonard Veizi
Është viti 1932. Kriza e Madhe ka mbuluar Amerikën si një re e zezë. Që nga larg, Hollywood-i shkëlqen si premtim, por nga afër është një mulli që bluan ëndrra.
Në atë qytet iluzionesh mbërrin një vajzë 24-vjeçare, Peg Entëistëll. Nuk ishte thjesht një vajzë e bukur që kërkonte famë. Ishte një yll i skenës së Brodvejit.
Kritikët e Nju Jorkut e quanin një aktore me talent të rrallë, e lindur për dramën.
Si shumë të tjerë, ajo e tradhtoi teatrin për magjinë e ekranit. U shpërngul në Los Anxhelos, te shtëpia e xhaxhait, me një valixhe plot ëndrra.
Një kontratë me studion RKO dukej si bileta e artë. Ëndrra ishte një hap larg. I dhanë një rol te filmi “Trembëdhjetë Gra”. Por në sallën e montazhit, ëndrra u pre. Rolin e saj e shkurtuan deri në zhdukje. Në ekran mezi dallohej hija e saj. Ishte një ekzekutim profesional.
Studioja nuk ia rinovoi kontratën. Njëra pas tjetrës, dyert e Hollywood-it u mbyllën me një kërcitje të ftohtë.
Mbrëmjen e 16 shtatorit 1932, i tha xhaxhait se po dilte për një shëtitje të shkurtër. Mori vetëm çantën e vogël dhe u ngjit drejt Kanionit të Biçvudit. Lart, mbi qytet, ngrihej tabela gjigante “HOLLIVUDLEND” – atëherë thjesht një reklamë banesash me drita. Nuk ishte ende tempulli i famës. Ishte vetëm llamarinë dhe llamba.
Gjeti shkallën e pasme të mirëmbajtjes, prapa shkronjës H. U ngjit 15 metra lart, deri sa qyteti poshtë u bë një det me drita që vezullonin. Aty, në majën e ëndrrës së saj, nxori një letër lamtumire nga çanta.
Hoqi me kujdes xhaketën dhe këpucët, i palosi rregullisht si në skenë, si për rolin e fundit. Dhe u hodh në boshllëk.
Trupin e gjeti dy ditë më vonë një alpiniste mes shkurreve poshtë tabelës. Në çantë ishte shënimi: “Kam frikë, jam një frikacake. Më falni për gjithçka. Sikur ta kisha bërë këtë më parë, do kisha kursyer shumë dhimbje. P.E.”
Dhe këtu fillon ironia e pamëshirshme e fatit, ajo që vetëm Hollywood-i di të shkruajë.
Një ditë PAS vdekjes, postieri solli një zarf në shtëpinë e xhaxhait. Brenda ishte një letër zyrtare. Një studio tjetër i ofronte rolin kryesor në një shfaqje të re.
Roli? Një grua e dëshpëruar, që në aktin e fundit… bën vetëvrasje.
Fati nuk u tall thjesht me të. I bëri një skenar. I mohoi rolin kur ishte gjallë, dhe ia dërgoi rolin kur ishte e vdekur. I ofroi pikërisht vdekjen si personazh, pasi ajo e kishte zgjedhur vdekjen si njeri.
Kjo është e vërteta e hidhur e atij qyteti. Hollywood-i nuk të vret me urrejtje. Të vret me indiferencë. Të lë të presësh një letër që vjen 24 orë me vonesë.
Që nga ajo natë shtatori, shkronja H nuk është më thjesht një shkronjë. Është kryqi i parë i varrezave të ëndrrave amerikane. Është prova se edhe dritat më të ndritura hedhin hijen më të gjatë.
