Arbër Hoxha pritet të largohet nga Dinamo Zagreb dhe të transferohet te Al Wahda në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Sipas raportimeve të “Tportal”, palët kanë arritur marrëveshjen për transferimin e sulmuesit anësor shqiptar, në një operacion që kap vlerën e 2.5 milionë eurove.
Largimi vjen në mënyrë të papritur, pasi Hoxha ishte titullar vetëm dy ditë më parë në ndeshjen ndaj Hapoel Be’er Sheva.
Pavarësisht aktivizimit të fundit, e ardhmja e tij duket se do të jetë në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku Al Wahda ka arritur marrëveshjen për transferimin e tij.
Marrëveshja mes klubeve nuk përfshin vetëm shumën fillestare të transferimit.
Dinamo Zagreb do të përfitojë gjithashtu 10% të shumës së një transferimi të ardhshëm të Hoxhës, ndërsa në kontratë parashikohen edhe bonuse të mundshme, në varësi të kushteve të marrëveshjes dhe paraqitjeve të lojtarit.
Hoxha, i cili është pjesë e Kombëtares shqiptare, pritet të nisë së shpejti aventurën e re në futbollin e Emirateve të Bashkuara Arabe.
Transferimi i tij te Al Wahda pritet të zyrtarizohet në orët në vijim./ad
