Last Updated on 18/09/2026 by EL
Nga: Armand Plaka
Në vjeshtën e vitit 1942, ndërsa Lufta e Dytë Botërore kishte hyrë tashmë në një fazë vendimtare dhe Shqipëria ndodhej ende nën pushtimin italian, një letër e nisur nga Long-Ajlënd, Nju-Jork, mbërriti në Shtëpinë e Bardhë. Autorja nuk ishte diplomate, as ndonjë kryetare shoqate, as figurë e njohur e mërgatës. Ishte thjesht një nxënëse 15-vjeçare me prejardhje shqiptare. Quhej Harmonia Chika (Çika). Më 24 tetor 1942 ajo iu drejtua presidentit Franklin Delano Roosevelt me një kërkesë që përmblidhte në pak radhë frikën e një pjese të madhe të diasporës sonë në vendin e madh të lirisë: që Shqipëria të mos humbiste sërish pavarësinë dhe të mos bëhej objekt i ndonjë rishpërndarjeje territoriale pas luftës.
Një letër që nuk mbeti vetëm në sirtar
Adoleshentja shqiptaro-amerikane, gjurmët e së cilës më pas zhduken në mjegullën e kohës, e hap letrën duke iu referuar një paralajmërimi që, sipas saj, ishte përcjellë disa muaj më parë nga “Miss Durham of London”, britanikja e njohur për lidhjen e saj shumë dekadëshe me çështjen shqiptare. Sipas asaj që i ishte përcjellë komunitetit shqiptar në ShBA, ekzistonte frika se Shqipëria mund të hynte përsëri në pazaret e Pasluftës, deri në skenarin e një ndarjeje midis fqinjëve. Ky është perceptimi i autores së letrës çka na tregon qartë se cila ishte shndërruar në temën e ditës e qarkullonte si frikë e motivuar politike në mërgatë në vjeshtën e vitit 1942.
Vetë [Edith] Durham, në shkrimet e saj të viteve të luftës, vazhdonte të mbronte idenë e pavarësisë shqiptare dhe të rikujtonte precedentët e mëparshëm të projekteve për copëtimin e vendit. Pjesa më mbresëlënëse e dokumentit është ndoshta momenti kur autorja e parashtron në formë retorike pyetjen ndaj presidentit amerikan: Kush është ajo që merr guximin të flasë për fatin e një kombi? Përgjigjja e saj është e drejtpërdrejtë: “Vetëm një nxënëse pesëmbëdhjetëvjeçare me prejardhje shqiptare”. Pikërisht ky vetëpërkufizim i jep letrës një peshë të veçantë. Ajo nuk pretendon mandat përfaqësimi, por e ndërton argumentin mbi identitetin e dyfishtë: besnikërinë ndaj Amerikës dhe lidhjen emocionale me Shqipërinë. Rrëfen se i ati kishte ardhur në ShBA më 1912, ishte bërë qytetar amerikan dhe kishte shërbyer si vullnetar në ushtrinë amerikane gjatë Luftës së Parë Botërore.
Në letër përmenden madje edhe “shpikje” të tij (pohon se gjatë Luftës së Parë Botërore, ai kishte ndërtuar pajisje/makineri për sigurimin e ujit, të destinuara për t’u përdorur nga trupat në luftimet në shkretëtirë, si dhe një alarm automatik me radio për të mbrojtur portet amerikane nga nëndetëset armike) të dërguara institucioneve amerikane gjatë Luftës, si një mënyrë për të provuar se familja e saj nuk po i kërkonte Amerikës një favor nga jashtë, por po fliste nga brenda shoqërisë amerikane si pjesë e saj, duke ndarë kontribute të spikatura. Më pas vjen qortimi i kujdesshëm ndaj kreut të Shtëpisë së Bardhë. Harmonia shkruan se në fjalimet presidenciale përmendeshin kombet e pushtuara nga Boshti, por, sipas saj, Shqipëria lihej jashtë. “Zhgënjimi dhe ndjenja e parëndësisë”, shkruan ajo në thelb, kishin prekur shqiptarët e Amerikës. E gjithçka lidhet me atmosferën përpara Deklaratës Amerikane të dhjetorit 1942, ku me të drejtë një pjesë aktive e diasporës kishte përshtypjen se Shqipëria po humbiste në hartën politike të Aleatëve.
Frika nga një paqe që mund të hapte sërish plagët e vjetra
Letra nuk kufizohet te pavarësia në kuptimin juridik. Ajo e lidh ekzistencën e Shqipërisë me ekuilibrin ballkanik dhe me frikën e ndryshimit të kufijve. Autorja argumenton se, po të binte Shqipëria nën kontrollin e një fuqie ose të një shteti tjetër për shkak të pozitës së saj gjeografike, ajo do të shndërrohej kësisoj në burim tensioni, dhe e kundërta: një Shqipëri e pavarur do të mund të shërbente si një lloj balance në rajon. Në një pasazh tjetër ajo përdor edhe një hartë shumë më të gjerë kombëtare, duke përmendur Shkupin, Manastirin, Shkodrën dhe Janinën. Sigurisht se këto kërkesa pasqyrojnë një diskurs plot pathos patriotik e nacionalist të kohës; ato nuk përfaqësonin kufijtë ndërkombëtarisht të njohur të shtetit shqiptar të para vitit 1939. Pikërisht ky kontrast e bën dokumentin më interesant, sepse tregon hendekun midis aspiratave maksimaliste që qarkullonin në komunitetet e mërgatës dhe gjuhës shumë të rezervuar të diplomacisë amerikane.
Në mbyllje, vogëlushja Harmonia kthehet te argumenti emocional. Shqiptarët në ShBA, thotë ajo, janë amerikanë krenarë dhe besnikë ndaj vendit ku jetojnë; megjithatë, nëse Shqipërinë do ta godiste një tjetër fatkeqësi, lumturia e tyre në Amerikë do të cenohej. Pastaj i kujton presidentit Roosevelt se administrata e tij kishte synuar t’i jepte mundësi edhe “njeriut të vogël” dhe kërkon që i njëjti parim të shtrihej te një komb i vogël.
Nga Wilsoni te Roosevelti: Një vazhdimësi e lobimit shqiptar
Kjo letër e vitit 1942 gjen padyshim një lidhje interesante me një traditë më të hershme të apelimit shqiptar drejt Uashingtonit. Përveç letrave e peticioneve “zyrtare”, në vitin 1919, studentë shqiptarë në Romë i kishin dërguar presidentit Woodrow Wilson një thirrje të kuruar deri në detaj, duke kërkuar mbrojtjen e çështjes shqiptare në prag të Konferencës së Paqes. Ai dokument, i trajtuar gjithashtu më herët si risi dokumentare në faqet e “Panorama” (shih: Armand Plaka, Zbulohet letra e studentëve shqiptarë të Romës për Presidentin e SHBA, Panorama, 13 shkurt 2019), tregonte se shqiptarët e kishin kuptuar herët peshën e re të Shteteve të Bashkuara në sistemin ndërkombëtar. Në 1942 forma ishte tjetër, por logjika ishte e ngjashme. Nuk ishte më një delegacion studentësh në Evropë, as një letër e kuruar lidhur me fjongo e dekoracione në ngjyrë argjendi, por një letër e thjeshtë e një vajzë e lindur ose e rritur në Amerikë, pjesë e brezit të dytë të mërgatës, që i drejtohej Presidentit të ShBA-së me gjuhën e demokracisë amerikane. Nuk e dimë nëse ajo ishte e shtyrë apo gjithçka kishte ardhur si pasojë e prejardhjes prindërore, brumosjes me mësime patriotike apo një shtytje të brendshme që lidhej me besimin në demokracinë amerikane e vlerat e lirisë universale?! Sidoqoftë ajo na ka lënë kësisoj edhe një dëshmi të evoluimit të diasporës: Shqipëria mbetej atdheu i origjinës, por argumenti formulohej si qytetare amerikane, jo si e huaj që kërkonte ndërhyrje.
Një diasporë këmbëngulëse, por jo e bashkuar
Megjithatë, nuk duhet krijuar përshtypja se diaspora shqiptare e Amerikës fliste me një zë të vetëm. Viti 1942 ishte tashmë një periudhë debatesh të forta midis rrymave dhe figurave të saj kryesore. “Vatra”, Fan Noli dhe Faik Konica nga njëra anë, Konstandin Çekrezi dhe organizimi i tij nga ana tjetër, përplaseshin për mënyrën se si duhej ndërtuar përfaqësimi politik i shqiptarëve jashtë vendit, për raportin me mbretin Zog dhe për formulën e një fronti të përbashkët. Burimet amerikane dhe studime të mëvonshme mbi këtë periudhë tregojnë se u bënë përpjekje për një “United Front” [front të bashkuar], por mosmarrëveshjet nuk u zhdukën. Në nëntor 1942, Noli dhe Konica mbështetën një formulë bashkimi që synonte të linte për më vonë dallimet e brendshme, derisa të siguroheshin liria dhe integriteti i Shqipërisë. Çështja e rolit të Zogut, megjithatë, vazhdonte të ndante palët, ndërsa komunistët po fitonin terren dita-ditës.
Por, sa të thella ishin përçarjet e mërgatës shqiptare e tregon fare qartë një dokument tjetër i panjohur ardhur sërish nga arkivat amerikane, thuajse një vit më vonë. Më 9 qershor 1943, Marie T. Ellis, një qytetare amerikane e lindur në Shqipëri, e arsimuar në shkollat misionare amerikane në Shqipëri dhe më pas në Kolexhin Oberlin, i shkruante një letër senatorit republikan të Ohajos, Harold H. Burton, ku shprehej e shqetësuar se ndonëse sekretari i Shtetit Cordell Hull kishte deklaruar mbështetjen amerikane për pavarësinë e Shqipërisë, vendi nuk po përfaqësohej në forumet e aleatëve. Sipas saj, përgjigja që shqiptarët merrnin vazhdimisht nga agjencitë qeveritare amerikane ishte se arsyeja qëndronte te mungesa e unitetit të tyre: “Na është thënë vazhdimisht nga agjencitë qeveritare se arsyeja është se ne nuk jemi të bashkuar”, shkruante ajo.
E, ajo kishte një përgjigje për këtë arsyetim që e ngrinte vetë në mënyrë retorike: pretendonte se “shumica e popullit shqiptar” ishte bashkuar nën drejtimin e Konstandin Çekrezit, i cili, sipas saj, ndodhej në Uashington dhe “po punonte fort për çështjen shqiptare”. Nëse ajo ishte e punësuar apo e paguar nga K. Çekrezi, këtë s’mund ta pohojmë, por mund të konstatojmë lehtësisht se ajo punonte në funksion të objektivave të tij.
Sidoqoftë, në vijim ajo shkruante: “Ne duam një formë demokratike qeverisjeje për Shqipërinë”. Polemika kulmon kur në një pasazh, pa ia përmendur emrin, Ellis aludon qartazi për Fan Nolin, një nga figurat kryesore të “Vatrës”, duke e cilësuar grupin e tij si “a small, illiterate ignorant group led by a bishop of the Orthodox Church who advocates the restoration of former King Zog” – “një grup i vogël, analfabet dhe injorant, i drejtuar nga një peshkop i Kishës Ortodokse, i cili mbron rikthimin e ish-mbretit Zog”. Ajo vazhdonte edhe më tej: “He has a personal and selfish motive for his actions” – “Ai ka një motiv personal dhe egoist për veprimet e tij.”
Ellis i kërkonte senatorit Burton një përgjigje të prerë për çështjen: a e njihnin apo jo Shtetet e Bashkuara ish-mbretin Zog si drejtues të një qeverie shqiptare në mërgim? Sipas saj, një deklarim i qartë amerikan do ta zgjidhte problemin dhe do t’i bashkonte shqiptarët “në një grup të vetëm për mirëqenien e atij vendi dhe paqen në Ballkan”.
Në fakt, vetë ashpërsia e formulimeve e bën qesharak pretendimin e Ellis se pothuajse të gjithë shqiptarët qenë bashkuar rreth Çekrezit. Por, Uashingtoni tashmë ishte mësuar me këto “akrobaci” alla-shqiptare, të cilat nëse i hedh një sy arkivave të kohës habitesh se sidomos në vitet 1942-1943 zienin nga sharjet, ofendimet dhe njollosja e kundështarëve rivalë. Në disa syresh p. sh. Çekrezi njollosej si mendjemadh, aventurier e pijanec. Ndërkaq, Departamenti i Shtetit në çdo rast kthente një përgjigje zyrtare, të matur, politikisht korrekte, në përputhje me politikën e tij zyrtare. Në janar 1943, kur një përfaqësues i Zogut (ri)kërkoi njohjen e tij si kreu i një qeverie shqiptare në mërgim, Departamenti i Shtetit u përgjigj se njohja e një grupi të caktuar ngrinte menjëherë pyetjen se kush e përfaqësonte realisht popullin shqiptar. Kjo pasi tashmë ishte e qartë se politika amerikane ishte të mos prononcohej paraprakisht në një çështje të tillë pa pasur mundësi vetë shqiptarët të shpreheshin pas çlirimit. Përtej përçarjes e rivaliteteve, duhen theksuar dy aspekte pozitive të asaj veprimtarie të diasporës shqiptaro-amerikane të kohës që sollën ndikim në politikën amerikane. Nga njëra anë krijonte presion të vazhdueshëm që Shqipëria të mos harrohej; nga ana tjetër, i jepnin administratës amerikane një arsye shtesë për të qenë e kujdesshme ndaj çdo angazhimi që do të njihte një qendër të vetme politike shqiptare, çka për momentin dukej se ishte zgjidhja e duhur.
Uashingtoni: Po pavarësisë, jo një garancie të parakohshme për kufijtë
Në këtë pikë dokumenti i zonjushës Çika gjen një pikë takimi me diplomacinë zyrtare. Më 10 dhjetor 1942, vetëm rreth shtatë javë pas letrës së saj, sekretari amerikan i Shtetit, Cordell Hull, doli publikisht me një deklaratë për Shqipërinë. Ai vlerësoi rezistencën e shqiptarëve kundër pushtimit italian, rikujtoi se Shtetet e Bashkuara nuk e kishin njohur aneksimin e Shqipërisë nga Italia dhe e lidhi rikthimin e një Shqipërie të lirë me parimet e “Kartës së Atlantikut”. Ky ishte një hap i madh politik, por jo një “çek i bardhë” për çështjen territoriale. Në deklaratë nuk përcaktoheshin kufijtë e Shqipërisë së Pasluftës. Pikërisht kjo heshtje do të bëhej menjëherë objekt presioni diplomatik. Qeveria greke në mërgim reagoi duke i kujtuar Uashingtonit pretendimet e saj për atë që e quante “Epiri i Veriut”. Më 21 dhjetor, ambasadori grek kërkoi jo vetëm që Shtetet e Bashkuara të merrnin parasysh këto pretendime, por edhe që të adoptonin rezervën e shprehur më parë nga Londra. Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, Sumner Welles, u përgjigj se deklarata e Hullit nuk kishte thënë asgjë për kufijtë dhe se ShBA-ja nuk do të bënte angazhime të fshehta për ndryshime territoriale. Qëndrimi i Rooseveltit, shpjegoi ai, ishte që vendimet për rregullime territoriale të mos merreshin përfundimisht përpara fundit të Luftës. Pra, hezitimi amerikan për t’u premtuar shqiptarëve shprehimisht kufijtë e Paraluftës nuk ishte vetëm rezultat i presionit grek. Ai lidhej edhe me një parim më të gjerë të politikës amerikane: shmangien e pazareve territoriale gjatë luftës, përpara “Konferencës së Paqes”. Ndërsa, pozicioni britanik e bënte dilemën edhe më të dukshme. Anthony Eden do të deklaronte në Dhomën e Komunëve se Britania dëshironte çlirimin dhe pavarësinë e Shqipërisë, por e linte çështjen e kufijve për zgjidhjen e pasluftës. Kështu krijohej një formulë që për shqiptarët ishte njëkohësisht inkurajuese dhe shqetësuese: pavarësia po afirmohej, por territori mbetej pa një garanci të prerë.
Ekstraktet nga shtypi: shqipëria po hyntë në vëmendjen amerikane
Interesant është fakti se në të njëjtën dosje arkivore (Dosja Harmonia le të themi) gjenden edhe prerje nga shtypi amerikan, të cilat ndihmojnë për ta lidhur letrën e vogëlushes me klimën publike të kohës. Një faqe gazete, botuar në Boston më 23 tetor 1942 – vetëm një ditë para datës së letrës – mbante një titull të madh: 200,000 Italian Troops Fail to Break the Resistance of Albanian Patriots. Poshtë tij raportohej për revolta kundër pushtimit italian dhe për rezistencën e armatosur në Shqipëri. Nuk është e nevojshme të merret si i mirëqenë çdo numër apo formulim i një titulli lufte, sepse shtypi i kohës mbështetej shpesh në raporte të pjesshme dhe në propagandën e palëve ndërluftuese. Por, vetë fakti që Shqipëria dhe rezistenca shqiptare merrnin një titull kaq të dukshëm në një gazetë amerikane, tregon se vendi po hynte tashmë gradualisht në radarët e opinionit publik. Një tjetër përzgjedhje, shkëputur nga rubrika “Washington Merry-Go-Round”, shoqërohet me një ilustrim të madh të shqiponjës dykrenare dhe me një tekst të gjatë për Shqipërinë e shqiptarët. Edhe këtu gjuha e kohës duhet lexuar me kujdes, pasi komentet amerikane për Ballkanin shpesh përzienin informacionin me stereotipe, simpati dhe interesa gjeopolitike. Sidoqoftë, vendosja e këtyre ekstrakteve mediatike në të njëjtën dosje dokumentare, tregon qartazi se administrata amerikane ndiqte në mënyrë dinamike jo vetëm korrespondencën e diasporës, por edhe mënyrën se si çështja shqiptare pasqyrohej në shtyp.
Çfarë na thonë në fund këto dosje?
Nuk do të ishte e saktë të pretendohej se letra e një vajze pesëmbëdhjetëvjeçare ndryshoi politikën e Shteteve të Bashkuara ndaj Shqipërisë. Deklarata e Hullit e dhjetorit 1942 ishte produkt i një procesi shumë më të gjerë diplomatik, ushtarak dhe politik. Por, do të ishte po aq e gabuar të shpërfillej roli i dhjetëra ndërhyrjeve të tilla: letrave, peticioneve, takimeve, editorialeve dhe përpjekjeve të organizatave shqiptaro-amerikane për ta mbajtur Shqipërinë në agjendën e një fuqie që po dilte në mënyrë eksplicite tashmë si aktori vendimtar i rendit të ri të Pasluftës. Letra e zonjushës shqiptaroamerikane me një emër shumë domethenës (Harmonia) është e vlefshme pikërisht sepse nuk vjen nga maja e politikës. Ajo na jep – thënë më së miri – vetë “temperaturën” e kohës e për më shumë të atij komuniteti vërtetë aktiv shqiptarësh në diasporë, i cili prej kohësh tashmë kishte tejkaluar kolonitë e famshme të Bukureshtit, Sofjes, Misirit (Egjiptit) dhe fokusuar tërësisht ndonjë komunitet tjetër në dukje aktiv, por pa peshë, si ata që mund të ishin në shumë kryeqytete të Evropës nga Londra në Stamboll. Në mungesë të një fronti të përbashkët brenda Shqipërisë dhe një përfaqësie që mund ta pretendonte këtë rol, duket se diaspora shqiptare në ShBA ishte për momentin e vetmja që kishte një ndikim të vërtetë e akses në zyrat e një shteti të madh Aleat.
Ato na tregojnë pikësëpari edhe se frika nga copëtimi i Shqipërisë ishte bërë tashmë pjesë e ankthit të përditshëm dhe bisedave të diasporës; se emri i Edith Durhamit vazhdonte të kishte autoritet e të lakohej në Londër e Uashington, edhe pse koha do të tregonte se ky zë thuajse u shpërfill tërësisht; se fëmijët e emigrantëve e shihnin veten njëkohësisht si amerikanë dhe shqiptarë dhe ndjenja kombëtare tek ai brez vijonte të ishte e lartë; se Shtëpia e Bardhë shihej si adresa ku mund të kërkohej një garanci morale e politike për mbijetesën e vendit të origjinës, sikurse padyshim se nën shembullin e zonjës Ellis, na shfaqet dhe një anë shumë negative e shqiptarëve të diasporës: njollosja e rivalëve duke ia nxirë fytyrën para zyrave e institucioneve amerikane e reflektuar kështu një tipar të politikës shqiptare që fatkeqësisht e shohim të ridimensionuar edhe më shumë në ditët e sotme. Kryqëzimi me burimet zyrtare e bën pamjen edhe më të plotë.
Uashingtoni nuk e kishte njohur aneksimin italian dhe, në dhjetor 1942, deklaroi qartë se një Shqipëri e lirë duhej të rikthehej në vendin që i takonte. Ai nuk pranoi të garantonte paraprakisht kufijtë, por gjithashtu nuk pranoi t’i jepte Greqisë angazhime të fshehta dhe, në të njëjtën kohë, nuk pranoi të njihte pa kushte një qeveri shqiptare në mërgim. Ishte një politikë mbështetjeje e matur, ku parimi i pavarësisë bashkëjetonte me rezervën për territorin dhe përfaqësimin politik. Në këtë kuptim, faksimilet e vitit 1942 dhe 1943 nuk janë vetëm një kuriozitet familjar e as thjesht një risi grafike e dokumentare. Ato janë një dritare e vogël, por shumë e qartë, për të na rrëfyer mënyrën se si çështja shqiptare kalonte nga tryezat e mërgatës në faqet e gazetave dhe (jo domosdoshmërisht) prej andej në korridoret e administratës amerikane – në një moment kur ende nuk dihej se si do të dukej harta politike e Ballkanit të Pasluftës.

