Last Updated on 19/09/2026 by Anisa
Pas reagimeve të shumta që shkaktoi manekini i Çerçiz Topullit i ekspozuar në Muzeun e Kalasë së Gjirokastrës, kreu i Agjencisë së Trashëgimisë Kulturore në Gjirokastër Florian Hysi ka njoftuar dorëheqjen nga pozicioni që mbante. Përmes një deklarate publike, Hysi bën të ditur vendimin për t’u larguar, ndërsa thekson se çdo detyrë publike duhet të shoqërohet me përgjegjësi personale për vendimet, veprimet apo gabimet që mund të ndodhin gjatë ushtrimit të saj.
“Ajo që u konsiderua gabim, u korrigjua dhe marr të gjithë përgjegjësinë përsipër”, shprehet Hysi në deklaratën e tij postuar në rrjetet sociale.
Dorëheqja vjen fill pas debatit të krijuar një ditë më parë rreth manekinit që synonte të paraqiste Heroin e Popullit, Çerçiz Topullin në Muzeun e Kalasë së Gjirokastrës. Pamja e tij shkaktoi reagime të shumta në rrjetet sociale ku qytetarë dhe figura publike kërkuan largimin e tij, duke e konsideruar paraqitjen të papërshtatshme për figurën historike.
Në deklaratën e dorëheqjes, Hysi nuk e përmend drejtpërdrejt manekinin, por flet për “gabim” që sipas tij tanimë është korigjuar. Ai falënderon Bashkinë e Gjirokastrës, kolegët, teksa e cilëson largimin e vet si një akt përgjegjësie ndaj institucionit.
Kujtojmë që polemika nisi pasi në Muzeun e Kalasë së Gjirokastrës u ekspozua një manekin që tentonte të rikrijonte pamjen e Çerçiz Topullit, të pajisur me veshje, armë dhe dylbi. Realizimi u kritikua gjerësisht në rrjetet sociale.
“Deklaratë dorëheqjeje !
Pas një periudhe pune të përkushtuar në shërbim të trashëgimisë kulturore, muzeve dhe Gjirokastrës, kam vendosur të jap dorëheqjen time prej pozicionit që mbaj .
E bëj këtë vendim me përgjegjësi dhe me bindjen se çdo detyrë publike duhet të shoqërohet me përgjegjësi personale për çdo vendim , veprim apo gabim që mund të ndodhë gjatë saj . Ajo që u konsiderua gabim u korrigjua dhe marr të gjithë përgjegjësinë përsipër.
Largohem me mirënjohje për mbështetjen e Bashkisë Gjirokastër , për kolegët dhe veçanërisht për punonjësit e Agjencisë së Trashëgimisë Kulturore , me të cilët kemi punuar dhe realizuar ehumë më shumë më tepër sesa ishte bërë prej vitesh.
Dorëheqja ime nuk është dorëzim nga ajo që besoj . Është një akt përgjegjësie dhe respekti për institucionin !
Mbetem mirënjohës për punën e bërë , për përpjekjet tona dhe për çdo gjurmë që kemi lënë në muze dhe në kujtesën e Gjirokastrës.
Do të vazhdoj ta dua dhe ta mbështes Gjirokastrën, trashëgiminë e saj dhe kujtesën tonë kombëtare , në çdo formë që do të më jepet mundësia.
Ne u përpoqëm , atë që u konsiderua gabim e korrigjuam dhe punën do ta lëmë të flasë vetë.
Mirënjohje !
Florian Hysi”, shkruan kreu i Agjencisë së Trashëgimisë Kulturore në Gjirokastër në facebook-un e tij./ad
