*Preç Zogaj
Po i quaj të akuzuar ish-drejtuesit e UÇK-së: Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimi, sa kohë që nuk janë dënuar me vendim të formës së prerë. Ata kanë një mundësi të dytë në Gjykatën e Apelit.
Dënimi i tyre në shkallën e parë ishte paralajmëruar me shenja të shumta përgjatë procesit maratonë të hetimit. Sikurse edhe me thirrjet për qetësi nga Brukseli dhe Uashingtoni në prag të verdiktit të parë, duke na kujtuar se ai nuk është përfundimtari.
Befasia në këtë fazë të gjykimit ishte masa e dënimeve. Shumë të rënda për aq prova konkrete sa ka paraqitur akuza. Shproporcionale në raport me disa dënime (jo të gjitha) që Gjykata Ndërkombëtare e Hagës ka dhënë për kriminelë serbë, të dënuar për krime kundër njerëzimit në dëm të qytetarëve kosovarë me kombësi shqiptare.
Zemërimi i mbështetësve të Thaçit me shokë është legjitim. Solidariteti ndaj tyre i qindra mijëra shqiptarëve në Kosovë, Shqipëri dhe diasporë është i natyrshëm. Të gjithë presin me padurim dhe shpresë fjalën e Gjykatës së Apelit – e vetmja shkallë gjykimi e mbetur që mund t’i japë një kthesë procesit, duke dhënë në rastin më të mirë pafajësi për të akuzuarit, ose dënime më të buta në masën e viteve të paraburgimit, gjë që do të nënkuptonte lirimin e tyre.
Te Apeli bëhet beteja tani. E fundit. Betejë ligjore. Mundësi tjetër jashtë kornizës ligjore nuk ka në hapësirën e botës demokratike, nga Uashingtoni në Bruksel, ku sundon prej shekujsh e dekadash ndarja demokratike e pushteteve – legjislativi, ekzekutivi, drejtësia – dhe pavarësia e tyre. Ky është themeli i botës së lirë.
Nuk është fasadë, siç mendojnë të keqkuptuarit e demokracisë liberale, duke bërë lidhje pa lidhje me regjimet autokratike, ku krerët e qeverive apo shteteve janë de facto kryeprokurorë e kryegjyqtarë.
Këtë keqkuptim e shohim të shpërfaqet bujshëm këto ditë në Shqipëri, në “garën” se kush e kush të këpusë thagmën më të madhe kundër Gjykatës së Hagës, sikur ajo të ishte kapur politikisht nga Rusia, Serbia, apo nga qendra të tjera antishqiptare në SHBA dhe Europë! Po ashtu edhe në “garën” tjetër se çfarë duhet bërë e nuk është bërë deri tani për të shpëtuar katër ish-luftëtarët. Fjalë, fjalë, fjalë. Hipokrizi dhe lot krokodili për t’u dukur si patriotë të mëdhenj.
Gjithë “propozimet” për të treguar forcë, pa e pasur të qartë ku dhe si, kthehen si dallga që përplaset me shkëmbin; sillen nga sillen dhe reduktohen në një: sensibilizim dhe lobim i fuqishëm. Ku? Pranë vendeve aleate dhe mike, duke pasur parasysh SHBA-në dhe vendet e fuqishme të BE-së. Me çfarë? Me lutje për ndërhyrje pranë gjykatës, apo me diversionin se mund të bëhet nami. Ka prej atyre që me lobim kuptojnë blerjen e vendimit në shkallën e dytë, meqenëse po fiton bindja se një gjë që nuk blihet me para, mund të blihet me shumë para! (Për ata që mendojnë se Gjykata është kapur nga Rusia dhe Serbia, i bie se duhet blerë Putini dhe Vuçiçi)!
Injoranca apo qëllimi i mbraptë në këtë rast po shpalos një vetëdemaskim në shkallë të gjerë të raportit antidemokratik me drejtësinë, duke e menduar atë si vegël dhe notere të politikës. Ky është një qëndrim që vjen si zgjatim i raportit të vjetër të politikanëve tanë me drejtësinë brenda Shqipërisë, i armiqësisë së tyre me SPAK-un dhe GJKKO-në.
Duhet kujtuar se kjo përpjekje e ndërhyrjes në favor të Thaçit dhe tre të tjerëve është konsumuar nga kryeministri Rama në instancën më të lartë politike të botës, që është Presidenti Trump. Në mbledhjen e parë të Bordit të Paqes në shkurt të këtij viti, Rama i harxhoi një pjesë të minutave të ndërhyrjes së tij për të ngritur çështjen e të katërve. Ai përdori si yshtës emrin e “djallit” Jack Smith – prokurorit që ka akuzuar Thaçin – me qëllim që t’i ndizte Presidentit amerikan llambën e tërbimit, duke qenë se Smith “gëzon” botërisht armiqësinë ekstreme të tij, pasi e pat paditur penalisht me akuzën se ishte përpjekur të përmbyste rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.
Një ndërhyrje e guximshme kjo e kryeministrit tonë, jashtë rendit të ditës, që prodhoi lajm në Shqipëri dhe Kosovë. Asgjë tjetër pozitive, në mos u bëri dëm Thaçit me shokë. Dhe s’mund të prodhonte tjetër gjë. Nga mënyra si e shtroi dhe ku e shtroi çështjen, Rama tradhtoi vizionin e tij të shtrembër për drejtësinë, duke paragjykuar edhe Presidentin si të tillë. Nuk them se nuk e kishte për zemër punën e Thaçit, por politikanët e tregojnë zotësinë e tyre në rrugën e duhur që gjejnë për të ndihmuar.
Në fakt, heronjtë e spektakleve dhe zhurmave pa lidhje me organizimin specifik të drejtësisë si pushtet i pavarur nuk ndihmojnë, madje bëjnë keq. SHBA-ja dhe BE-ja nuk kanë çfarë të mësojnë nga Tirana për këtë temë. Ata janë kokë e këmbë në historinë e Kosovës. Të kërkosh t’u japësh mend atyre është si në shprehjen popullore: “Hajde baba të të tregoj arat”.
Ata e kanë çliruar dhe pavarësuar Kosovën. Ata janë emri i parë i lirisë së saj. UÇK-ja vjen e dyta me vulën e nderit dhe me gjakun e derdhur për liri. LDK-ja dhe Rugova vijnë ndërkaq me rezistencën paqësore dhjetëvjeçare që ndërkombëtarizoi çështjen e Kosovës, ndërtoi dhe nguliti kornizën e aspiratave të saj perëndimore, si dhe përligjji daljen në skenë dhe pranimin ndërkombëtar të UÇK-së si faktor politik dhe ushtarak. Këto realitete nuk ka forcë që t’i zhbëjë.
SHBA-ja dhe BE-ja janë gjithashtu krijuesit dhe lobuesit e miratimit nga Parlamenti i Kosovës të Gjykatës Speciale me seli në Hagë, me prokurorë dhe gjyqtarë ndërkombëtarë. Ky vendim sui generis ka pasur një kontekst sui generis: Drejtësia e re e Kosovës së pavarur, ku ish-komandantët e UÇK-së u bënë drejtues të institucioneve shtetërore, dështoi të hetonte qindra vrasje, zhdukje dhe pengmarrje civilësh e deputetësh shqiptarë, të kryera kryesisht në kohën kur po merrnin udhë bombardimet e Serbisë nga NATO dhe pas çlirimit të Kosovës.
Disa prej emrave të këtyre fatkeqësive i dëgjuam në pretencën e akuzës dhe në vendimin e gjykatës.
Kosova nuk mund të gjejë paqe pa bërë drejtësi për këto viktima, për këto krime, kushdo që t’i ketë kryer. Verdikti i drejtesisë, me fajtorë të vërtetë dhe jo me koka turku, është vet kjo paqe.
*Ky shkrim është pjesë e projektit ‘PRODEMOCRATIA, një partneritet mes INSTITUTIT PASHKO dhe media MAPO, për të analizuar zhvillimet e demokracisë shqiptare.
