Gjenerali Carsten Breuer, shefi i Mbrojtjes së Gjermanisë, u zgjodh të shtunën si kreu i ardhshëm i Komitetit Ushtarak të NATO-s, autoriteti më i lartë ushtarak i aleancës dhe një organ kyç këshillues për liderët e saj politikë.
Krerët ushtarakë nga aleanca me 32 vende zgjodhën Breuer në një takim në Kopenhagen, tha kryetari aktual, admirali italian Giuseppe Cavo Dragone, përmes një postimi në “X”. Breuer do të marrë detyrën verën e ardhshme, duke pasuar Dragone-n, shkruan Reuters.
“Gjykimi juaj operacional, njohja juaj e thellë me këtë Aleancë dhe udhëheqja juaj e Forcave të Armatosura Gjermane do t’i shërbejnë mirë NATO-s. Shefat e Mbrojtjes kanë vendosur besimin e tyre tek ju në një moment të vështirë për sigurinë euroatlantik”, shkroi Dragone, duke përgëzuar Breuer.
Komiteti është autoriteti më i lartë ushtarak i NATO-s dhe kryetari i tij shërben si këshilltari kryesor ushtarak i shefit të tij politik, Sekretarit të Përgjithshëm Mark Rutte. Breuer do ta marrë postin në një kohë trazirash në aleancë. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kërkuar që vendet evropiane të marrin përgjegjësinë kryesore për mbrojtjen e kontinentit pas dekadash udhëheqjeje amerikane.
Shumë qeveri evropiane kanë rritur shpenzimet e mbrojtjes vitet e fundit, të nxitura si nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, ashtu edhe nga kërcënimet e Trump për të mos respektuar angazhimet e SHBA-së ndaj NATO-s. Gjermania, ekonomia më e madhe e Evropës, ka qenë në ballë të rritjes së shpenzimeve. Berlini synon të dyfishojë shpenzimet e saj ushtarake në mbi 200 miliardë euro (230 miliardë dollarë) deri në vitin 2030.
Breuer, një oficer ushtrie 61-vjeçar, fitoi nofkën “gjenerali i kancelarit” pasi kancelari i atëhershëm Olaf Scholz e zgjodhi atë për të drejtuar një komitet krize që ndihmoi në menaxhimin e përgjigjes së Gjermanisë ndaj pandemisë COVID në vitet 2021 dhe 2022.
Ai u bashkua me Bundeswehr-in në një njësi të mbrojtjes ajrore në vitin 1984 dhe më vonë ndoqi kolegjin e shtabit të përgjithshëm të SHBA-së në Fort Leavenëorth, Kansas, si dhe trajnimin e shtabit të përgjithshëm gjerman në Hamburg. Në vitin 2014, ai shërbeu në Forcën e Ndihmës për Sigurinë Ndërkombëtare të NATO-s në kryeqytetin afgan, Kabul. Shefi aktual i ushtrisë gjermane, gjenerallejtënant Christian Freuding, pritet të pasojë Breuer si shef i mbrojtjes para fundit të vitit./mxh
