Kreu i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi në mbledhjen e Kryetarëve është shprehur se PD është kundër projekt-kalendarit, ndërsa ka shtuar se nuk duhet të përfshihet Reforma Territoriale.
Gjithashtu ai ka bërë thirrje që të vazhdojë procesi i konsultimit publik.
“Partia Demokratike është kundër këtij kalendari që keni paraqitur. Ju keni përfshirë për diskutim projektligjin për Reformën Territoriale. Kjo është një çështje e papranueshme për shumë faktorë. Së pari, nuk mund të kaloni një reformë kaq të rëndësishme pa konsensusin e opozitës. Gjithashtu, ju zhvilluat një proces tallës me shqiptarët. Ngritët një komision, ndërkohë që ndarjen e kishit në tavolinë dhe e kishit të gatshme. Sot e sillni këtë çështje këtu, të përfshirë në kalendar. Edhe ajo që po bëni sot është një tallje dhe shkelje e Kushtetutës, pasi aktualisht ka një proces konsultimi publik, ndërsa ju parashikoni diskutimin e projektligjit në komisione. Prandaj, ne jemi kundër”, ka thënë ai./k.m
