Nga Leonard Veizi
Më 29 shtator 1902, në Paris, vdiq Emile Zola, një nga shkrimtarët më të rëndësishëm francezë të shekullit XIX. Por emri i tij nuk mbeti në histori vetëm për romanet që tronditën letërsinë europiane. Zola ishte edhe njeriu që, në një çast vendimtar për Francën, doli përballë ushtrisë, gjykatave dhe pushtetit politik për të mbrojtur një të pafajshëm. Ai e bëri këtë me armën e vetme që kishte: fjalën e shkruar…
…Lindi më 2 prill 1840 në Paris, në një familje me mundësi të kufizuara ekonomike. I ati, François Zola, ishte inxhinier me origjinë italiane. Pas vdekjes së tij, më 1847, familja u përball me vështirësi financiare. Fëmijërinë dhe rininë Émile i kaloi kryesisht në Aix-en-Provence, ku u miqësua me piktorin e ardhshëm Paul Cézanne. Miqësia e tyre do të merrte fund vite më vonë, por kujtimet e asaj periudhe do të mbeteshin pjesë e formimit të shkrimtarit.
Parisi nuk ia hapi menjëherë dyert. Zola dështoi në provimin e maturës, braktisi studimet dhe provoi të gjente një vend në jetë. Më 1862 u punësua në shtëpinë botuese Hachette. Ndërkohë shkruante, botonte artikuj dhe ndërtonte ngadalë një emër në gazetari e letërsi. Ishte një fillim pa shkëlqim, por me një këmbëngulje që do ta shoqëronte deri në fund.
Njeriu që zbriti letërsinë në rrugë
Zola nuk kërkonte ta zbukuronte realitetin. Ai donte ta vendoste përpara lexuesit ashtu siç ishte: me varfërinë, urinë, alkoolin, shfrytëzimin, ambicien dhe dhunën që fshihej pas fasadës së shoqërisë së qytetëruar.
Në letërsi, ai u bë figura qendrore e natyralizmit, një rrymë që synonte ta trajtonte jetën njerëzore me vëmendjen e një studiuesi. Shkrimtari duhej të vëzhgonte, të mblidhte fakte, të njihte mjedisin dhe të kuptonte se si trashëgimia familjare e kushtet shoqërore ndikonin në fatin e individit.
Projekti i tij më i madh ishte cikli Rougon-Macquart, një varg prej njëzet romanesh që përshkon shoqërinë franceze gjatë Perandorisë së Dytë. Përmes historisë së një familjeje, Zola ndërtoi një panoramë të gjerë të Francës: nga sallonet e borgjezisë te lagjet e varfra, nga tregtia te politika, nga jeta e minatorëve te ethet e parasë.
Me Germinalin, botuar më 1885, ai zbriti në galeritë e errëta të minierave, atje ku njerëzit punonin në kushte çnjerëzore dhe ku një grevë mund të kthehej në përplasje mes urisë dhe pushtetit. Me Nana-n, ekspozoi hipokrizinë e shoqërisë së lartë. Me Au Bonheur des Dames, ndoqi ngritjen e dyqaneve të mëdha dhe ndryshimin që tregtia moderne sillte në jetën e qytetit.
Romanet e tij nuk ishin thjesht histori individësh. Ishin hetime mbi mekanizmat e një shoqërie që prodhonte pasuri për disa dhe mjerim për shumë të tjerë.
«J’accuse!» – kur shkrimtari sfidoi shtetin
Por vepra që e nxori Zolën përtej kufijve të letërsisë ishte një tekst gazete.
Në vitin 1894, kapiteni hebre Alfred Dreyfus u dënua për tradhti dhe u dërgua në burgun e Ishullit të Djallit. Çështja u kthye në një plagë të hapur për Francën, duke zbuluar ndarjet e thella politike dhe antisemitizmin që depërtonte në institucionet e vendit.
Zola u bind se Dreyfusi ishte dënuar padrejtësisht. Më 13 janar 1898, gazeta L’Aurore botoi letrën e tij të hapur drejtuar presidentit francez Félix Faure. Titulli ishte i shkurtër, i drejtpërdrejtë dhe sfidues: J’accuse…! – «Unë akuzoj…!».
Në tekst, shkrimtari akuzonte drejtues të ushtrisë dhe të drejtësisë për manipulimin e çështjes dhe përpjekjet për të mbuluar të vërtetën. Nuk ishte më fjala për një debat letrar, as për një polemikë të zakonshme gazetareske. Zola po vinte emrin dhe reputacionin e tij në shërbim të një njeriu që e konsideronte viktimë të një padrejtësie.
Pas botimit, ai u gjykua dhe u dënua për shpifje. Për të shmangur burgun, u largua drejt Anglisë, ku qëndroi deri në vitin 1899. Dreyfusi do të rehabilitohej plotësisht vetëm më 1906, katër vjet pas vdekjes së shkrimtarit.
Zola nuk jetoi për të parë përfundimin e betejës së tij. Por ndërhyrja e tij e shndërroi çështjen Dreyfus në një nga debatet më të rëndësishme mbi drejtësinë, antisemitizmin dhe përgjegjësinë e intelektualit në jetën publike.
Një vdekje që la pas dyshime
Në mëngjesin e 29 shtatorit 1902, Émile Zola u gjet i vdekur në banesën e tij në Paris. Shkaku ishte asfiksia nga monoksidi i karbonit, i cili kishte depërtuar në dhomë për shkak të bllokimit të oxhakut.
Bashkëshortja e tij, Alexandrine, u shpëtua. Rrethanat e vdekjes së shkrimtarit ngritën dyshime që nuk u shuan kurrë plotësisht. U hodh ideja se oxhaku mund të ishte bllokuar qëllimisht nga kundërshtarë politikë, si hakmarrje për mbrojtjen e Dreyfusit. Megjithatë, përgjegjësia për një vrasje të mundshme nuk u vërtetua përfundimisht.
Në ceremoninë e varrimit, më 5 tetor, mes njerëzve që i dhanë lamtumirën shkrimtarit ishin edhe minatorë, të cilët thërrisnin emrin e romanit që kishte përjetësuar vuajtjet e tyre: Germinal!
Më 1908, eshtrat e tij u transferuan në Panteonin e Parisit, ku prehen personalitete të shquara të historisë franceze.
Émile Zola mbeti një shkrimtar që nuk e ndau letërsinë nga jeta dhe as artin nga përgjegjësia. Ai i dha romanit fytyrën e punëtorit, zërin e të varfrit dhe shqetësimet e një shoqërie që shpesh parapëlqente të mos shihte. Por, mbi të gjitha, tregoi se fjala e shkruar mund të dalë nga faqet e librit dhe të përballet drejtpërdrejt me pushtetin.
Në historinë e letërsisë, Zola mbetet mjeshtri i natyralizmit. Në historinë e ndërgjegjes qytetare, ai mbetet shkrimtari që guxoi të thoshte: «Unë akuzoj».
Anatole France, në fjalimin e mbajtur në varrimin e tij, e përmblodhi trashëgiminë e Zolës me një shprehje që do ta shoqëronte gjatë gjithë historisë: ai «ishte një çast i ndërgjegjes njerëzore»
