Last Updated on 05/10/2026 by Anisa
Deputetja e Partisë Socialiste, Marjana Koçeku, ka deklaruar se do të votojë kundër draftit të ri për reformën administrativo-territoriale, që parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46.
“Të enjten në seancë plenare do votohet drafti i PS-së për reformën territoriale. Sigurisht që unë do votoj kundër. Jam e sigurt që edhe në radhët e grupit të PS-së do ketë deputetë që do e kundërshtojnë me votë të përgjegjshme këtë projektligj, pavarësisht pasojave politike të mosbindjes ndaj urdhrit të partisë”, është shprehur Koçeku.
Ndërkohë, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së, dy deputetë, Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj, kanë votuar kundër draftit për hartën e re territoriale, e cila parashikon shkrirjen e 15 bashkive.
Sinaj e ka argumentuar qëndrimin e tij me kundërshtimin ndaj shkrirjes së Bashkisë Selenicë, e cila përfshihet në njësitë vendore që parashikohet të bashkohen në hartën e re. Ndërsa motivi konkret i votës kundër të Erion Braçes nuk është bërë i ditur. Gjatë mbledhjes, Braçe mësohet të jetë shprehur: “Më bën të shkoj drejt votës kundër”.
Pas mbledhjes së grupit, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, tha se deputetët mund të shprehin qëndrime të ndryshme gjatë diskutimeve, ndërsa vendimi politik është që projektligji të vijojë procedurën parlamentare.
I pyetur nëse Braçe dhe Sinaj mund të votojnë kundër edhe në seancën plenare të së enjtes, Balla tha se nuk e di, duke theksuar se në mbledhjet e grupit parlamentar ka raste kur deputetët shprehen kundër dhe votojnë kundër, por në fund qëndron vendimi politik.
Balla mohoi gjithashtu që ndaj dy deputetëve të jetë ushtruar presion apo kërcënim për qëndrimin e tyre.
“Absolutisht jo. Janë ndër dy deputetët më të mirë që ka grupi parlamentar”, deklaroi ai.
Drafti i PS-së parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46, përmes bashkimit të 15 njësive vendore. Projektligji po shqyrtohet në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, ndërsa për miratimin e reformës në Kuvend nevojiten të paktën 84 vota./ad
