Ka disa tendenca që duket se nuk zhduken kurrë plotësisht. Pas rikthimit të vazhdueshëm të estetikës së viteve ’90, një tjetër aksesor i famshëm i asaj kohe po gjen sërish vend në look-et e sotme: shiriti i flokëve, apo për disa të tjerë kordelet zigzag.
Aksesori që shumë prej nesh e kanë mbajtur gjatë fëmijërisë po rikthehet në një version më modern dhe më minimalist. Një prej emrave që e ka bërë pjesë të stilit të saj është Hailey Bieber, e cila është shfaqur me një model zigzag, duke i dhënë aksesorit nostalgjik një pamje më aktuale.
Shiriti i flokëve nuk është një risi absolute në botën e modës. Në kulmin e viteve ’90, Carolyn Bessette-Kennedy e përfshinte shpesh në look-et e saj, në një mënyrë që përputhej me stilin e saj të thjeshtë, elegant dhe të kuruar.
Sot, ky aksesor po rikthehet me një version tjetër. Modelet zigzag, veçanërisht ato me pamje më moderne, e bëjnë aksesorin më të përshtatshëm për një garderobë bashkëkohore dhe më pak të lidhur me versionin që kujtojmë nga fëmijëria.

Rikthimi i shiritit të flokëve nuk po ndodh vetëm në rrjetet sociale. Gjatë Javës së Modës në Nju Jork, Calvin Klein prezantoi versione metalike të aksesorit, duke i dhënë një pamje më elegante dhe moderne.
Kjo është pikërisht ajo që e bën trendin interesant: shiriti mund të përshtatet me stile të ndryshme. Një model minimalist mund të kompletojë një look të përditshëm, ndërsa një version metalik ose me detaje mund të bëhet pika kryesore e një veshjeje.

Dhe nëse dikur e mbanim sepse ishte thjesht praktik, sot rikthehet si një zgjedhje e mirëfilltë stilimi.
Tani, ndërsa kapelat dhe shamitë e flokëve që dominuan look-et e verës fillojnë të lënë vendin për aksesorë më të përshtatshëm për stinën e ftohtë, shiriti i flokëve duket si një prej kandidatëve kryesorë për të marrë përsipër këtë rol.
Pra, nëse keni ende një të tillë diku në sirtar, ndoshta ka ardhur momenti ta nxirrni sërish nga aty./k.m
