Sylvester Stallone ka rrëfyer një nga konfliktet më të bujshme të karrierës së tij me aktorin Richard Gere, i cili ndodhi gjatë xhirimeve të filmit të vitit 1974, “The Lords of Flatbush”.
Në kujtimet e tij, “The Steps”, aktori tregon se tensionet mes tyre nisën që gjatë provave dhe kulmuan me një përplasje fizike, ku shkak u bë edhe një pulë.
Stallone, 80 vjeç, shkruan se fillimisht marrëdhënia e tij me Robert De Niron, i cili ishte pjesë e kastit, ishte shumë e mirë. Situata ndryshoi kur nisi të bënte prova me Richard Gere.
Sipas Stallones, gjatë improvizimeve Gere e kapi nga këmisha dhe thonjtë i ngulën në lëkurë. Ai i kërkoi të ndalonte, por aktori e përsëriti të njëjtin veprim edhe në xhirimin e dytë.
Stallone tregon se më pas i kërkoi regjisorit Steven Verona leje që të reagonte ndaj improvizimit ashtu siç do të vepronte në jetën reale.
“Do t’ia shqyeja dhëmbët”, i tha Stallone regjisorit, i cili iu përgjigj: “Të lutem mos e bëj këtë”.
Por situata do të përshkallëzohej më tej gjatë një pushimi dreke. Sipas Stallones, të dy aktorët ndodheshin në një makinë kur yndyra nga pula që po hante Gere ra mbi këmbën e tij.
“Dhjami i pulës u derdh në këmbën time”, kujton aktori.
Stallone rrëfen se reagoi duke e goditur Gere në gjoks me bërryl, përpara se ta nxirrte nga sedilja e pasme e makinës.
“O Zot, nuk dua të hyj në këtë”, i tha Gere, sipas Stallones. “Shumë vonë”, ishte përgjigjja e tij.
Regjisori Steven Verona ndërhyri për t’i ndarë, ndërsa sipas Stallones, në atë moment u bë e qartë se njëri prej tyre duhej të largohej nga filmi.
Në fund, Richard Gere u largua nga “The Lords of Flatbush”. Edhe Robert De Niro u largua nga produksioni dhe të dy u zëvendësuan nga Perry King dhe Henry Winkler.
Rrëfimi i Stallones është publikuar në kujtimet e tij “The Steps”, të cilat dolën në qarkullim më 29 shtator./ad
