Last Updated on 08/10/2026 by EL
Reforma territoriale pritet të miratohet sot nga socialistët duke i tkurrur në 46 nga 61, numrin e bashkive të vendit.
Ndërsa Kuvendi vijon që prej 9 orësh, Dashamir Shehi, kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, i ftuar në ‘Studio Live’ nën moderimin e Ermal Qorit tha se shpesh kjo reformë shihet si ndarje dhe bashkim territoresh. Shehi thotë se në fakt thelbi i territoriales është bashkimi i komuniteteve.
“Mirë bëjnë që bëjnë protestë, por unë gjykoj që opozita duhet të bëjë një luftë më të fortë. Opozita duhet të kishte propozuar një gjë më të thelluar, pse po bëhet reforma. Se duket sikur reforma është ndarje dhe bashkim territoresh. Nuk është ky thelbi i reformë, thelbi është bashkim i komuniteteve. Unë jam për një ndryshim tjetër të bashkojmë zonat rurale, jo urbane. Ne kemi akoma një dallim të madh mes zonave rurale dhe urbane. Ky (Rama) po i ngushton bashkitë, s’janë më 12 qarqe. E dini ju çfarë funksioni kanë qarqet”, tha Shehi.
Sipas Shehit reforma territoriale nuk ka gjetur qetësi që nga vitet 90. Kreu i LZHK nënvizon se Rama duhet që ta shtyjë edhe pak votimin, në mënyrë që të gjejnë një kompromis.
“Gjykoj që këtë nuk e ka bërë PS, por Edi Rama. Është logjike që të japim një sinjal që të themi që të merremi vesh me këtë punë. Se kjo reformë do qëndrojë 2 dekada. Se kjo ndarja administrative nuk ka gjetur rehat që nga vitet 90. Një vend i vogël si i yni brenda 30 viteve ka ndryshuar 30 herë këto rregulla loje. Opozita bën ato demonstraata, por ata duhet ta kishin temë 3 muajit e fundit. Çfarë i kushton Ramës ta shtyjë edhe pak edhe të gjejnë një kompromis, që reforma të jetë sa më afatgjatë. Ia vlen ta mbyllin këtë debat për sonte dhe të lihet javën tjetër”, tha ai.
E ndërsa e cilësoi Parlamentin një dhomë tregtie, Shehi shtoi se parlamenti përbëhet nga njerëz biznesi.
“Parlamenti shqiptar është i dominuar me njerëz biznesi. Kjo nuk është hera e parë. Parlamenti është më shumë një dhomë tregtie”, tha ai.
Për pjesëmarrjen e ulët në protestë, Shehi tha se interesi i qyterarëve ka rënë, ashtu si po trajtohet çështja e reformës territoriale.
“Siç është trajtuar territorialja bie edhe interesi i njerëzve për protestë. Megjithatë janë pak janë shumë duhen të respektohen. Pres që deputetetët e PD t’i kishin sqaruar debatet në Kuvend. Por unë mendoj që ta shtyjnë këtë gjë (votimin për reformën territoriale). Kjo është kthyer jo si një gjë politike, por puro elektorale. Qytetarët dalin në protestë kur i ndërgjegjson, si do të dalin ata ashtu kot. Këtu nuk bëhet më politikë, këtu bëhet propogandë”, shtoi Shehi./et
