Last Updated on 08/10/2026 by EL
Protesta e 131-të ka marrë një tjetër drejtim këtë të enjte, duke u zhvendosur nga sheshi “Skënderbej” drejt Parlamentit, ndryshe nga tubimet e mëparshme që janë zhvilluar pranë Kryeministrisë.
Zhvendosja e protestës vjen në një ditë kur në Kuvend pritet të votohet reforma territoriale e propozuar nga Partia Socialiste, një prej nismave më të debatuara dhe të kundërshtuara nga opozita dhe protestuesit.
Qytetarët u mblodhën edhe gjatë paradites pranë Parlamentit, ku pati përplasje me forcat e policisë. Gjatë tensioneve, 8 protestues u prangosën nga efektivët.
Më vonë, protestuesit njoftuan për një tjetër grumbullim gjatë orëve të pasdites, duke e zhvendosur kështu fokusin e protestës te godina e Kuvendit.
Tubimi zhvillohet në një moment kur në sallën e Parlamentit vijon debati për hartën e re territoriale, e cila parashikon ndryshime në organizimin e njësive vendore dhe është kundërshtuar nga opozita dhe një pjesë e deputetëve./et
