Last Updated on 09/10/2026 by EL
Cristiano Ronaldo është vënë përkohësisht nën pezullim nga Federata Portugeze e Futbollit, pas një përplasjeje me trajnerin Jorge Jesus dhe largimit nga grumbullimi i kombëtares. Tashmë pritet që organet disiplinore të përcaktojnë kohëzgjatjen e masës, e cila, sipas raportimeve të mediave britanike, mund të variojë nga një deri në gjashtë muaj.
Konflikti mes yllit portugez dhe trajnerit shpërtheu gjatë pushimit ndërkombëtar, pas ndeshjes me Norvegjinë, më 27 shtator, ku Ronaldo nuk u aktivizua. Sulmuesi 41-vjeçar pretendon se Jesus i kishte premtuar se do t’i jepte rreth 30 minuta lojë, por në fund vendosi ta mbante në stol, edhe pse futbollisti ishte nxehur për një kohë të gjatë pranë vijës anësore.
Pas incidentit, rregulloret e Federatës Portugeze të Futbollit kanë vënë në lëvizje procedurat për pezullimin e përkohshëm të lojtarit. Këshilli disiplinor pritet të shqyrtojë rrethanat e përplasjes përpara se të marrë vendimin përfundimtar.
Një dënim që zgjat më shumë se një muaj mund ta lërë Ronaldon jashtë dy ndeshjeve të Portugalisë kundër Danimarkës dhe Uellsit, të programuara për në nëntor në kuadër të Ligës së Kombeve. Në përcaktimin e masës, organet disiplinore pritet të marrin në konsideratë edhe rrethana lehtësuese, përfshirë kërkimfaljen publike të futbollistit ndaj tifozëve.
Në rast se do të shqiptohej pezullimi maksimal prej gjashtë muajsh, mungesa e Ronaldos do të përbënte një goditje të rëndësishme për përfaqësuesen portugeze.
Duke shpjeguar arsyet e pakënaqësisë së tij, Ronaldo ka deklaruar se trajneri nuk e mbajti premtimin për aktivizimin në ndeshjen kundër Norvegjisë.
“U nxehja që nga pjesa e parë, shikoja minutat që kalonin dhe nuk u thirra për të hyrë në lojë. Trajneri nuk e mbajti fjalën që më kishte dhënë”, ka deklaruar sulmuesi.
Përplasja, sipas Ronaldos, nuk u kufizua vetëm te minutat e lojës. Ai pretendon se mes tij dhe trajnerit kishte pasur gjithashtu një marrëveshje për mënyrën se si do t’u përgjigjeshin gazetarëve pas përfundimit të ndeshjes.
Sipas futbollistit, palët kishin rënë dakord për disa pika që do të sqaronin publikisht, por deklaratat e mëvonshme të Jesusit, se vendimet i takojnë atij si trajner, e përkeqësuan situatën.
Megjithatë, pavarësisht konfliktit, Ronaldo nuk ka shfaqur synimin për t’i dhënë fund karrierës me kombëtaren e Portugalisë. Sulmuesi, i cili po i afrohet kuotës prej 1.000 golash në karrierë, ka theksuar se dëshiron të vazhdojë të përfaqësojë vendin e tij edhe pas përfundimit të çdo pezullimi të mundshëm.
“Nëse jam fizikisht në formë, luaj për klubin tim dhe shënoj gola, shpresoj që, pasi të vuaj çdo pezullim që do të më shqiptohet, të jem sërish në dispozicion, siç kam qenë gjithmonë deri më sot, për të garuar dhe për të fituar me kombëtaren tonë”, është shprehur ai.
Vendimi i organeve disiplinore të Federatës Portugeze të Futbollit do të përcaktojë tashmë kohëzgjatjen e pezullimit dhe nëse Ronaldo do të jetë i disponueshëm për ndeshjet e ardhshme të përfaqësueses./et
