Last Updated on 12/10/2026 by Klara
Një hetim policor në Katalonjë ka marrë një kthesë të rëndësishme pas arrestimit të dy kosovarëve që dyshohet se janë të përfshirë në vjedhje të banesave luksoze, përfshirë edhe shtëpinë e portierit të Barcelonës, Joan García.
Sipas raportimeve të mediave spanjolle, arrestimet u kryen më 1 tetor në zonën e Gavà-s. Në pranga përfunduan dy burra, përkatësisht 58 dhe 42 vjeç, si dhe një grua 46-vjeçare, të gjithë me origjinë nga Kosova. Dy burrat janë dërguar në burg, ndërsa gruaja është lënë e lirë, por mbetet nën hetim.
Joan García, një prej objektivave të grupit
Ngjarja në banesën e Joan Garcías ndodhi më 10 janar 2026, kur portieri ndodhej në Arabinë Saudite me skuadrën e Barcelonës për Superkupën e Spanjës.
Dy persona dyshohet se hynë në banesën ku futbollisti jeton me partneren e tij, në rajonin e Baix Llobregat, duke përfituar nga mungesa e tij.
Alarmi i sigurisë u aktivizua rreth orës 20:00 dhe pamjet e kamerave ndihmuan në rindërtimin e ngjarjes. Sipas raportimeve të publikuara më herët, vlera e sendeve të vjedhura në banesën e portierit ishte rreth 6 mijë euro.
Edhe Jules Koundé dyshohet se ishte në shënjestër
Hetuesit dyshojnë se i njëjti grup kishte kryer vëzhgime dhe përgatitje për të grabitur edhe banesën e Jules Koundé, por ky plan nuk u realizua.
Përveç rasteve që lidhen me futbollistët e Barcelonës, grupi dyshohet se ka lidhje me tetë vjedhje me forcë në banesa në pjesë të ndryshme të Katalonjës, që nga fillimi i vitit 2025.
Hetimi u drejtua nga njësitë përkatëse të Mossos d’Esquadra, të cilat analizuan provat dhe pamjet e sigurisë për të identifikuar personat e dyshuar.
Rasti rikthen në vëmendje shqetësimin për sigurinë e futbollistëve profesionistë, banesat e të cilëve mund të bëhen objektiv i grupeve kriminale, veçanërisht kur ata janë larg për shkak të ndeshjeve dhe udhëtimeve me skuadrat e tyre./k,m
