Last Updated on 13/10/2026 by Anisa
Policia pretendon se ka parandaluar një tjetër vrasje të mundshme në Kurbin, e dyshuar si akt hakmarrjeje për ekzekutimin e Ilir Gjinit, 40 vjeç, më 9 korrik 2026. Në kuadër të operacionit të koduar “Argos”, është arrestuar vëllai i viktimës, 37 vjeç, i cili lëvizte me një automjet të blinduar me targa gjermane dhe dyshohet se mbante armë zjarri.
I arrestuari, E. (G.) B. (L.), banues në Kurbin dhe me precedent kriminal, u ndalua në Fushë Milot, ndërsa drejtonte një automjet tip “Mercedes-Benz ML”, të blinduar dhe me targa gjermane.
Gjatë kontrollit fizik, policia i gjeti një armë zjarri automatike të tipit “Skorpion”, me një krehër që përmbante 16 fishekë luftarakë. Automjeti dhe arma u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Sipas Policisë së Lezhës, operacioni u zhvillua pas monitorimit të vazhdueshëm të situatës kriminale në qark, analizimit të ngjarjeve të mëparshme dhe ndjekjes së informacioneve operative. Nga hetimet paraprake, dyshohet se plani për vrasjen e mundshme lidhej me hakmarrjen për vrasjen e 40-vjeçarit Ilir Gjini, i njohur edhe me disa identitete të tjera, i cili u vra më 9 korrik në Kurbin.
Operacioni “Argos” u finalizua nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Seksionin Operacional të Hetimit dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit të vrasjes së Ilir Gjinit, si dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të saj.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme./ad
