“Kroi i fshatit tonë, ujë i kulluar, / Ç’na buron nga mali duke mërmëruar…”
Vargjet e pavdekshme të Lasgush Poradecit, që i dhanë jetë njërës prej poezive më të bukura të letërsisë shqiptare, sot përballen me një realitet krejt të ndryshëm nga magjia që përshkruajnë.
Historiani dhe studiuesi Auron Tare ka ngritur shqetësimin për gjendjen në të cilën ndodhet kroi që frymëzoi poetin e madh për të shkruar “Kroi i Fshatit tonë”. Dikur burim frymëzimi për një prej perlave të lirikës shqiptare, sot ai është i rrethuar me beton, i braktisur dhe pa një shenjë të denjë që të dëshmojë rëndësinë e tij kulturore.
Në reagimin e tij, Tare e sjell në vëmendje këtë kontrast të dhimbshëm mes vargjeve që i kanë rezistuar kohës dhe gjendjes së sotme të vendit që i frymëzoi ato.
Poezia e Lasgush Poradecit nuk mbeti vetëm në faqet e librave. Ajo u bë pjesë e kujtesës kolektive edhe përmes interpretimit muzikor të Tefta Tashko Koços, duke e kthyer kroin në një simbol të bukurisë, dashurisë për vendlindjen dhe identitetit shqiptar.
Por sot, ky simbol duket i harruar. Mungesa e kujdesit për një vend me kaq shumë vlerë letrare dhe kulturore ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si ruhen dhe promovohen trashëgimia dhe simbolet tona kombëtare.
Një krua që dikur shëronte plagët e sytë në vargjet e poetit, sot duket se ka mbetur vetë plagë e hapur e harresës.
Një kontrast që nuk kërkon shumë fjalë për t’u kuptuar.
Shkruan Auron Tare:
