Një video dramatike ka kapur momentin kur një raketë shpërthen vetëm pak metra larg një gruaje që po regjistronte një video selfie në Ukrainë.
Sulmi në zonën e Pisochynit, pranë Harkivit, u mori jetën tre personave, mes tyre një 16-vjeçari, ndërsa 22 të tjerë mbetën të plagosur.
Pamje rrëqethëse vijnë nga Ukraina, ku një grua që po filmonte veten në tarracën e një ndërtese banimi u gjend në afërsi të një shpërthimi të fuqishëm, pas goditjes me raketë të zonës ku ndodhej.
Ngjarja ndodhi të dielën në Pisochyn, një zonë periferike pranë qytetit të Harkivit, në verilindje të Ukrainës. Sipas autoriteteve rajonale, nga sulmi humbën jetën tre persona: një djalë 16-vjeçar dhe dy gra, përkatësisht 19 dhe 51 vjeçe. Të paktën 22 persona të tjerë u plagosën.
Në videon e publikuar nga mediat britanike, gruaja shihet duke regjistruar një video selfie në një zonë të banuar. Pak çaste më vonë, dëgjohet një zhurmë e fortë, përpara se një shpërthim i fuqishëm të ndriçojë pamjen. Regjistrimi ndërpritet mes zhurmës së xhamave që thyhen dhe britmave të gruas.
Deri më tani, nuk dihet nëse ajo ka arritur të shpëtojë nga shpërthimi.
Sipas raportimeve, raketa goditi pranë një dyqani ushqimor dhe disa ndërtesave të banimit. Pamjet pas sulmit tregojnë dëme në banesa dhe automjete të djegura ose të shkatërruara.
Shërbimet e emergjencës mbërritën në vendngjarje për t’u ardhur në ndihmë të plagosurve, disa prej të cilëve kishin nevojë për trajtim mjekësor.
Sulmi në rajonin e Harkivit ishte pjesë e një vale më të gjerë goditjesh ruse ndaj Ukrainës gjatë së dielës, ku, sipas raportimeve të mediave, humbën jetën gjithsej gjashtë persona në dy qytete.
Goditjet ndodhën në një kohë kur presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky akuzoi Moskën se kishte shkelur armëpushimin e njoftuar për infrastrukturën energjetike.
Presidenti amerikan Donald Trump kishte deklaruar se Rusia dhe Ukraina kishin rënë dakord për ndalimin e menjëhershëm të sulmeve ndaj objekteve energjetike. Megjithatë, sipas Zelenskyt, sulmet me dronë dhe goditjet ndaj infrastrukturës energjetike ukrainase vijuan edhe pas këtij njoftimi.
Ndërkohë, komandanti suprem i NATO-s për Europën, gjenerali amerikan Alexus Grynkewich, paralajmëroi Moskën se çdo sulm ndaj një vendi anëtar të Aleancës do të përballej me një kundërpërgjigje të fuqishme./ad
