Last Updated on 14/10/2026 by Anisa
Kursi i këmbimit mes Euros dhe Lekut i është kthyer rënies dhe ka prekur një minimum të ri historik ditën e sotme.
Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye sot me 91.29 lekë, niveli më i ulët i të gjitha kohërave. Krahasuar me një vit më parë, kursi Euro-Lek është në rënie me 5.6%.
Agjentët e këmbimit valutor shpjegojnë se tregu vazhdon të ketë ofertë të lartë për valutë dhe kërkesë të dobët për të.
Sipas tyre, prurjet e identifikueshme të valutës vijnë nga disa burime, duke filluar nga këmbimet që kryejnë vetë bizneset në shuma të konsiderueshme, transaksionet gjithmonë në rritje me karta bankare në valutë huaj, por edhe nga konvertimi i të ardhurave nga letrat e borxhit në valutë të huaj të bankave vendase.
Ekspertë të tregut shpjegojnë se sektori bankar ka një portofol shumë të madh të instrumenteve të borxhit në valutë të huaj. Këto letra me vlerë sjellin të ardhura periodike nëpërmjet kuponave të paguara nga emetuesit. Të ardhurat nga kuponët në valutë të huaj konvertohen automatikisht në Lekë. Këto veprime sjellin rrjedhimisht rritje të ofertës së Euros dhe të kërkesës për Lekun, duke ushtruar presione për uljen e mëtejshme të kursit të këmbimit Euro-Lek.
Ndërkohë, veprimet me karta bankare vazhdojnë të gjenerojnë ofertë në rritje për valutë të huaj. Në rastet kur mbajtësi i një karte në valutë të huaj kryen një blerje në Lekë, kjo sjell automatikisht një transaksion automatik të shitjes të valutës dhe blerjes së monedhës vendase në sistemin financiar.
Pagesat me karta në valutë janë tipike kryesisht për turistët e huaj, por edhe një pjesë e kartave të kreditit të lëshuara nga bankat shqiptare janë të lidhura me llogari në valutë të huaj, kryesisht në Euro.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në gjashtë muajt e parë të vitit 2026 u regjistruan gjithsej 16 milionë pagesa me kartë në pikat elektronike të shitjes (POS). Numri i pagesave me kartë është rritur me 28% krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar.
Ndërkohë, vlera totale e pagesave me kartë për gjashtë muaj ka arritur në 58.3 miliardë lekë, me një rritje prej 21% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Statistikat e Bankës Qendrore tregojnë një përmirësim të ndjeshëm të Bilancit të Pagesave edhe në gjysmën e parë të këtij viti, faktor që mund të shpjegojë në një masë të madhe rënien me ritme më të shpejta të Euros për këtë vit. Për 6-mujorin 2026, deficiti i llogarisë korrente pësoi rënie, me një vlerë totale prej 361 milionë eurosh ose 40.6% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Deficiti i llogarisë korrente për 6-mujorin ka shënuar njëkohësisht nivelin më të ulët që prej vitit 2018. Ulja e deficitit ka ardhur kryesisht nga rritja e eksporteve të shërbimeve dhe nga remitancat.
Efekt në bilancin e përgjithshëm të pagesave ka dhënë edhe rritja e investimeve të huaja direkte. Për 6-mujorin 2026, vlera e përgjithshme e investimeve të huaja direkte arriti në 1.144 miliardë euro, me një rritje prej 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Gjithashtu, një efekt shtesë duket se ka ushtruar edhe suficiti i lartë fiskal, që ka ulur ofertën e Lekut në treg. Për 8-mujorin 2026, buxheti ishte në suficit në vlerën e 61.6 miliardë lekëve, në rritje me 52% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë./monitor-ad
