Në vjeshtën e vitit 1816, Fjodor Dostojevski gjendej në një nga periudhat më të errëta të jetës së tij. I rrënuar nga varësia ndaj bixhozit në kazinotë e Evropës dhe i zhytur në borxhe marramendëse pas vdekjes së të vëllait, ai u kap në kurthin e botuesit spekulator F. T. Stellovski. Kontrata që kishte nënshkruar ishte pothuajse vetëvrasëse, nëse nuk dorëzonte një roman krejtësisht të ri deri më 1 nëntor 1866, Stellovski do të fitonte të drejtën ekskluzive mbi të gjitha veprat e tij të kaluara dhe të ardhshme për nëntë vjet, pa asnjë lloj shpërblimi. Dostojevski rrezikonte të shpronësohej plotësisht nga e drejta mbi vetë krijimtarinë e tij.
E, tetori po mbaronte. Ndërsa punonte njëkohësisht për “Krim dhe Ndëshkim”, autorit i kishin mbetur më pak se katër javë për të shkruar nga e para një roman të tërë. I dëshpëruar dhe fizik i sfilitur, ai pranoi këshillën e mikut të tij, profesorit Milyukov, për të punësuar një stenografe. Kështu hyri në jetën e tij Anna Grigorjevna Snitkina, një vajzë 20-vjeçare, e cila jo vetëm që ishte studenteja më e mirë e kursit të stenografisë në Shën Petersburg, por ushqente edhe një adhurim të thellë për veprën e shkrimtarit.
Më 4 tetor 1866, bashkëpunimi i tyre nisi në banesën e Dostojevskit. Procesi ishte një garë ethesh. Fjodor diktonte me hapa të shpejtë e të shqetësuar nëpër dhomë, ndërsa Anna e ndiqte me një shpejtësi marramendëse, duke transformuar mendimet e tij stuhishme në shenja stenografike. Pasditeve ajo kthehej në shtëpi, i deshifronte shënimet dhe i rikopjonte ato me një shkrim të pastër e elegant, për t’ia dorëzuar mëngjesin tjetër.
Në mënyrë paradoksale, tema e romanit, varësia patologjike ndaj lojërave të fatit dhe pafuqia e njeriut përballë epshit për të rrezikuar gjithçka, pasqyronte pikërisht demonët e brendshëm të vetë Dostojevskit. Brenda 25 ditësh, më 29 tetor, romani “Kumarxhiu” ishte plotësisht i përfunduar. Kur Stellovski tentoi të shmangte marrjen e manuskriptit ditën e fundit për ta çuar shkrimtarin në shkelje afati, me inteligjencën e saj Anna i dorëzoi letrat zyrtarisht te policia e lagjes, duke marrë dëshminë e marrjes dhe duke e shpëtuar përfundimisht Dostojevskin nga rrënimi.
Marrëdhënia e lindur gjatë atyre ditëve të tensionuara u shndërrua shpejt në një lidhje të thellë shpirtërore. Pak muaj pas kësaj fitoreje mbi kohën, më 15 shkurt 1867, Fjodor 45-vjeçar dhe Anna 20-vjeçare u kurorëzuan në martesë.
“Ajo nuk ishte thjesht e re dhe e bukur, ajo zotëronte atë lloj mirësie dhe mirëkuptimi që unë nuk e kisha ndeshur kurrë më parë…” do të shkruante Fjodor Dostojevski për Annën.
Anna nuk qe vetëm bashkëshortja e tij, por e ardhmja e tij praktike dhe shpirtërore.
Menaxherja e parë femër e botimeve në Rusi. Ajo mori në dorë gjendjen e tij kaotike financiare, luftoi me huadhënësit e pamëshirshëm dhe organizoi vetë botimin e librave të tij, duke e kthyer familjen Dostojevski në një sipërmarrje të suksesshme.
Me durim të pashoq, ajo e ndihmoi atë të kapërcejë varësinë nga bixhozi, të cilën ai e braktisi përfundimisht pas disa viteve martesë, dhe i krijoi ambientin e nevojshëm për të shkruar kryeveprat e tij të mëvonshme, si “Idioti”, “Demonët” dhe “Vëllezërit Karamazov”, të cilin ai ia kushtoi pikërisht Annës.
Kjo ngjarje mbetet një nga historitë më romantike dhe triumfuese të historisë letrare, një dëshmi se si takimi i duhur njerëzor mund ta kthejë një katastrofë të sigurt në lindjen e përjetësisë artistike./k.m
