Last Updated on 14/10/2026 by Anisa
Investitorët në sektorin e akuakulturës do të mund të përfitojnë kontrata 20-vjeçare, pavarësisht vlerës së investimit, ndërsa kultivimi i peshkut në ujërat e brendshme dhe sipërfaqet tokësore nuk do të kërkojë më miratimin paraprak të një zone të veçantë për akuakulturë.
Ndryshimet parashikohen në projektligjin e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, të nxjerrë për konsultim publik, që rishikon ligjin nr. 103/2016, “Për akuakulturën”, me synimin për të nxitur investimet dhe për të thjeshtuar procedurat administrative në sektor.
Një nga risitë kryesore është unifikimi i afatit të kontratave. Ligji aktual përcakton kohëzgjatje të diferencuara, deri në 10, 15 ose 20 vjet, në varësi të vlerës së investimit. Drafti e heq këtë ndarje, duke përcaktuar se “Kohëzgjatja e kontratës për ushtrimin e veprimtarisë së akuakulturës në sipërfaqet tokësore dhe ujore është 20 vjet”.
Për investimet në toka publike, afati do të lidhet me kohëzgjatjen e kontratës së shfrytëzimit të pronës, pa tejkaluar 20 vjet. Ndërkohë, veprat e nevojshme për zhvillimin e aktivitetit duhet të përfundojnë brenda tre viteve nga nënshkrimi i kontratës.
Ministria argumenton në relacion se investimet në akuakulturë karakterizohen nga kosto të larta fillestare dhe periudha të gjata rikuperimi. Sipas dokumentit, afati i ri “pritet të nxisë investime të reja, të mbështesë modernizimin e kapaciteteve prodhuese, të përmirësojë aksesin në financim dhe të rrisë konkurrueshmërinë e sektorit”.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me heqjen e detyrimit për miratimin e Zonave të Përcaktuara për Akuakulturë (ZPA) për aktivitetet në ujërat e brendshme dhe sipërfaqet tokësore. Ky mekanizëm, që aktualisht përdoret për planifikimin e veprimtarive të akuakulturës, do të kufizohet kryesisht në hapësirat detare.
“Ushtrimi i veprimtarisë së akuakulturës në ujëra të brendshme dhe në sipërfaqe tokësore nuk kushtëzohet nga miratimi i zonës si ZPA”, përcakton projektligji. Drafti parashikon një trajtim të veçantë për instalimet në pronësi shtetërore, të cilat konsiderohen ZPA edhe kur ndodhen në tokë ose në ujëra të brendshme. Sipas relacionit, procedurat ekzistuese kanë rezultuar të vështira për t’u zbatuar në ferma që operojnë në sipërfaqe të kufizuara ose në sisteme të kontrolluara prodhimi.
Rregullat e reja diferencojnë edhe mënyrën e marrjes së të drejtës për zhvillimin e aktivitetit. Investimet në zonat detare dhe ujërat e brendshme do t’i nënshtrohen konkurrimit publik, ndërsa për tokat publike procedurat do të përcaktohen me vendim të qeverisë. Për pronat private ruhet përjashtimi nga konkurrimi, me detyrimin për të lidhur kontratë me ministrinë dhe për t’u pajisur me licencë.
Projektligji parashikon gjithashtu një mënyrë të re të përcaktimit të qirasë për sipërfaqet ujore, e cila do të miratohet me udhëzim të përbashkët të ministrave përgjegjës për akuakulturën dhe financat.
Për herë të parë, kuadri ligjor do të përfshijë dispozita të posaçme për akuaponinë, një teknologji që kombinon rritjen e peshkut me kultivimin e bimëve, ku mbetjet e organizmave ujorë shërbejnë si lëndë ushqyese për bimët dhe këto të fundit ndihmojnë në pastrimin e ujit.
“Veprimtaria e akuaponisë mund të zhvillohen në instalime tokësore, publike ose private, si dhe në struktura të kontrolluara prodhimi, përfshirë serrat, sistemet me riqarkullim të ujit dhe teknologji të tjera të përshtatshme”, thuhet në draft. Edhe këto investime do të kërkojnë kontratë, licencë dhe, sipas rastit, leje të tjera për përdorimin e ujit apo instalimet.
Ndryshimet parashikojnë gjithashtu mundësinë e zgjerimit të kapaciteteve prodhuese ose ndryshimit të llojeve të peshkut përmes ndryshimit të kontratës, pas vlerësimit teknik dhe verifikimit të kushteve mjedisore. Ndërkohë, operatorët me detyrime të pashlyera mund të humbasin të drejtën e rinovimit të kontratës. Në nenin përkatës shtohet si shkak për refuzim rasti kur “ushtruesi i veprimtarisë ka detyrime të pashlyera që rrjedhin nga kontrata ose nga legjislacioni në fuqi”.
Pas përfundimit të kontratave, sipërfaqet publike do të rishpallen për konkurrim, përveç rasteve të rinovimit sipas ligjit, ndërsa operatorët në toka private mund të aplikojnë për një kontratë të re.
Qeveria do të ketë një vit nga hyrja në fuqi e ligjit për miratimin e akteve nënligjore që përcaktojnë kriteret teknike dhe procedurat e reja.
Sipas Ministrisë së Bujqësisë, ndryshimet synojnë zhvillimin e akuakulturës në ujërat e brendshme, zgjerimin e formave moderne të prodhimit dhe nxitjen e investimeve. Projektligji lidhet edhe me çështjet e evidentuara gjatë procesit të negociatave me Bashkimin Europian për Kapitullin 13, “Peshkimi”, por nuk synon përafrim të mëtejshëm me legjislacionin europian. Relacioni vlerëson se ndryshimet nuk do të sjellin efekte financiare në buxhetin e shtetit./monitor-ad
