Sylvester Stallone duket se ka ende një arsye të fortë për të vazhduar punën në Hollywood: dasma e vajzës së tij, Sophia Stallone.
Gjatë një interviste në emisionin Live with Kelly and Mark, të martën, më 13 tetor, aktori 80-vjeçar u pyet se sa ishte i gatshëm të shpenzonte për dasmën e ardhshme të vajzës së tij 30-vjeçare.
Sophia njoftoi fejesën me partnerin e saj, Michael Sheehan, më 28 gusht, duke publikuar në Instagram fotografi nga propozimi romantik. “Përgjithmonë me mikun tim më të mirë”, shkroi ajo në atë kohë.

Gjatë intervistës, aktori foli me superlativa për dhëndrin e ardhshëm, duke e cilësuar atë si një djalë të mrekullueshëm. Ai zbuloi gjithashtu se Sheehan i kishte kërkuar bekimin përpara se t’i propozonte Sophias.

“Ai më kërkoi dorën e saj”, tregoi Stallone, ndërsa moderatorja Kelly Ripa bëri shaka se i riu duhet të ketë qenë shumë i frikësuar përpara bisedës.
Moderatori Mark Consuelos iu referua edhe një prej skenave më të famshme të filmit “Rocky II”, duke e pyetur Stallone-n nëse dhëndri i ardhshëm i kishte kërkuar leje me fjalët e personazhit të tij, Rocky Balboa.
Aktori iu përgjigj me humor, duke cituar një premtim që Rocky i bën Adrianit në film: “Nuk do të lë më qime në lavaman”.
Stallone shtoi se Sheehan ishte treguar shumë i sigurt në vetvete gjatë kësaj situate, ndërsa bashkëshortja e tij, Jennifer Flavin, duhej të ishte e pranishme për të ndërmjetësuar.
Familja e madhe e yllit të Hollywood-it
Sylvester Stallone dhe Jennifer Flavin janë të martuar që prej vitit 1997 dhe kanë së bashku tri vajza: Sophia, 30 vjeçe, Sistine, 28 vjeçe, dhe Scarlet, 24 vjeçe.
Aktori ka gjithashtu dy djem nga martesa e tij e parë me Sasha Czack: Seargeoh dhe Sage, i cili ndërroi jetë në vitin 2012, në moshën 36-vjeçare.

Në një intervistë të dhënë në vitin 2012 për revistën Paris Match, Jennifer Flavin kishte treguar se Sophia ishte vajza që i ngjante më shumë të atit, si në karakter, ashtu edhe në gjestet e përditshme.
“Ata kanë një lidhje shumë të veçantë. Mendojnë njësoj dhe madje kanë të njëjtat gjeste”, ishte shprehur ajo, duke shtuar se Sophia ishte dashuria e jetës së Stallone-s./mxh
