Ditën e sotme pritet të mblidhet seanca e radhës plenare, ndërsa po ashtu është paralajmëruar të mbahet dhe protesta e tretë studentore.
Në rendin e ditës së seancës plenare përfshihen 4 interpelanca dhe 7 projektligje. Seanca e sotme pritet të shoqërohet me debate dhe tensione për shkak të situatës së krijuar në vend ditët e fundit. Para nisjes së seancës është planifikuar të mbahet dhe mbledhja e Grupit Parlamentar të PS-së.
Ndërkohë po ashtu rreth orës 09:00 studentët dhe nxënësit kanë thirrur protestën e radhës. Kujtojmë se një ditë më parë, protesta e studentëve dhe gjimnazistëve në kryeqytet u përshkallëzua gjatë pasdites, duke lënë pas dëme në disa institucione shtetërore, biznese dhe hapësira publike.
Tirana u përball me skena tensioni dhe shkatërrimi gjatë protestës së zhvilluar nga studentët dhe gjimnazistët, e cila nisi në orët e mëngjesit para Ministrisë së Arsimit dhe u përshkallëzua gjatë pasdites.
Protestuesit u mblodhën fillimisht para godinës së Ministrisë së Arsimit, ku pati hedhje gurësh dhe zjarrvënie. Gjatë orëve në vijim, situata u tensionua më tej, ndërsa protestës iu bashkuan studentë nga fakultete të ndryshme dhe gjimnazistë.
Përshkallëzimi u shënua me dëmtime në disa institucione dhe objekte publike. U dëmtuan dyert e disa ministrive, të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të Kryesisë së Kuvendit dhe të Arkivit të Shtetit.
Dëme u raportuan gjithashtu në biznese, qendra tregtare dhe kioska në zona të ndryshme të kryeqytetit. Nga ana tjetër, reagimi i policisë u vu në pikëpyetje përballë zhvillimeve dhe përmasave që mori protesta, ndërsa situata vijoi të mbetej e tensionuar edhe në orët e mëvonshme./k.m
