Nga Fejzo Subashi
Blendi Fevziu u kërkon studentëve alternativën, u kërkon të thonë kujt i besojnë dhe kush duhet t’i udhëheqë. Por a nuk po ua kërkojmë studentëve atë që duhet të bëjnë vetë intelektualët, akademikët dhe pedagogët? Le të kthehemi në vitin 1990. Blendi, mos i fto pedagogët vetëm në studio për të analizuar protestën. Ftoji të dalin nga studioja dhe të bëhen pjesë e saj! Edhe atëherë, studentët dolën në protesta. Nuk kishin parti politike pas vetes, nuk kishin një kandidat të gatshëm për kreun e shtetit dhe as një alternativë të plotë qeverisëse. Ata kishin diçka shumë më të rëndësishme: guximin për të kërkuar ndryshimin.
Dhe kur studentët hapën rrugën, në skenë dolën intelektualët, akademikët dhe profesorët e tyre. Ata i kuptuan kërkesat, iu bashkuan frymës së ndryshimit dhe morën përsipër përgjegjësinë që koha u kërkonte. Studentët dhanë shtysën. Intelektualët duhej t’i paraprinin ndryshimit. Po sot? Edhe sot studentët kërkojnë ndryshim. Kërkojnë që kjo klasë politike të largohet jo vetëm nga përgjegjësia qeverisëse, por edhe nga loja politike që e mban vendin peng prej kaq shumë vitesh. Por sot studentët duket se janë vetëm.
Guximi dhe potenciali i tyre rrezikojnë të shfrytëzohen nga interesa të papërgjegjshme, brenda dhe jashtë vendit, që mund të përfitojnë nga protesta pa marrë përsipër përgjegjësinë për të ardhmen e saj. Detyra e studentëve është të mobilizohen, të organizohen dhe të këmbëngulin për ndryshimin që kërkojnë. Por ata nuk mund dhe nuk duhet të mbajnë të vetëm barrën e një misioni që i takon gjithë shoqërisë. Në krye të një lëvizjeje të tillë duhet të jenë edhe pedagogët, akademikët dhe intelektualët.
Por ku janë ata sot? Përse nuk dalin përkrah studentëve? Përse nuk e vënë dijen, autoritetin dhe përvojën e tyre në shërbim të një kërkese që lidhet me të ardhmen e vendit? Apo politika i ka kapur pedagogët, duke i bërë më të shqetësuar për vendin e punës sesa për vendin ku jetojnë, për të ardhmen e Shqipërisë dhe për misionin e tyre si edukues të brezave?
Nuk dua t’i fus të gjithë në një thes. Ka pedagogë të ndershëm, me integritet dhe ndërgjegje qytetare. Por heshtja e atyre që kanë mundësi të flasin dhe përgjegjësi për të vepruar është një problem që nuk mund të anashkalohet. Një pedagog nuk është vetëm njeriu që hyn në auditor, zhvillon leksionin dhe largohet. Ai duhet të jetë edhe shembull qytetarie, guximi intelektual dhe përgjegjësie shoqërore. Kur studentët kërkojnë ndryshim, pedagogu nuk mund të mjaftohet duke i pyetur se çfarë duan. Ai duhet të ketë guximin të dalë përkrah tyre, të kontribuojë me mendimin e tij dhe të marrë pjesë në debatin për të ardhmen e vendit. Blendi, mos i fto pedagogët vetëm në studio për të analizuar protestën. Ftoji të dalin nga studioja dhe të bëhen pjesë e saj! Mos u kërko vetëm studentëve alternativën. Pyet edhe pedagogët se çfarë alternative kanë përgatitur, çfarë përgjegjësie marrin përsipër dhe ku janë kur brezi i ri kërkon mbështetjen e tyre. Sepse studentët nuk kanë pse ta dinë që sot emrin e kryeministrit të nesërm. Ashtu si në vitin 1990, ata mund të ngrenë një kërkesë historike pa pasur një udhëheqës të gatshëm për çdo post. Por shoqëria duhet të ketë njerëz me integritet që t’i ndihmojnë ta kthejnë protestën në një proces të përgjegjshëm ndryshimi.
Dhe pikërisht këtu qëndron shqetësimi im. Lëvizjet studentore kanë guxim, energji dhe risi. Por pa mbështetje intelektuale, pa organizim, pa përgjegjësi dhe pa një rrugë të qartë përpara, edhe një lëvizje e drejtë rrezikon të zbehet, të përçahet ose të përfundojë pa rezultat. Atëherë, kush do të mbajë përgjegjësi? Studentët që patën guximin të ngrihen, apo ata që patën dijen, autoritetin dhe mundësinë për t’i mbështetur, por zgjodhën të qëndrojnë mënjanë?
Studentët nuk kanë ngelur në klasë. Ata po japin mësimin e tyre qytetar. Në klasë kanë ngelur ata që duhej t’u mësonin jo vetëm dijen, por edhe guximin, përgjegjësinë dhe dashurinë për vendin. Dhe nëse pedagogët nuk e kuptojnë këtë mësim, atëherë problemi nuk është më vetëm te politika. Është edhe te ata që duhet ta edukojnë shoqërinë për ta ndryshuar atë
