Nga Leonard Veizi
Revolucionet studentore të shekullit XX nuk shpërthyen për të njëjtën arsye dhe nuk prodhuan të njëjtin rezultat. Në disa vende kërkohej liri politike kundër diktaturave, në të tjera kundërshtohej lufta, racizmi, autoriteti i universiteteve dhe një shoqëri që, edhe pse po pasurohej me shpejtësi, vazhdonte të funksiononte me hierarki të vjetra. Viti 1968 u bë kulmi simbolik i këtij procesi, por Parisi nuk ishte fillimi i gjithçkaje dhe as model universal që shpjegon çdo revoltë tjetër. Ajo që i bashkonte këto lëvizje ishte bindja se rendi ekzistues nuk ishte i pandryshueshëm, ajo që i ndante ishte përgjigjja se çfarë duhej të vinte në vend të tij…
…Baza e këtij shpërthimi duhet kërkuar te transformimi i thellë pas vitit 1945. Evropa Perëndimore njohu rindërtim ekonomik, zgjerim masiv të universiteteve dhe rritje të mirëqenies, por ndryshimi ekonomik nuk u shoqërua me të njëjtën shpejtësi nga ndryshimi i marrëdhënieve shoqërore. Universitetet mbetën institucione hierarkike dhe autoritare, familja dhe normat shoqërore ruajtën konservatorizmin, ndërsa politika i trajtonte të rinjtë si grup për t’u disiplinuar dhe jo për t’u dëgjuar. Për herë të parë, qindra mijëra të rinj hynë në auditore dhe universiteti pushoi së qeni klub i ngushtë elitash. U kthye në arenë ku përplaseshin pritshmëritë e një brezi të ri me mekanizmat e vjetër të autoritetit. Prandaj revolta nuk ishte vetëm për kushte më të mira studimi, por për vetë mënyrën se si organizohej shoqëria: për disiplinën, censurën, luftën, pabarazinë dhe idenë se mirëqenia materiale mjafton për të qenë i lirë.
Harta 1968
Për ta kuptuar vitin 1968 duhet parë harta e plotë e revoltave që i paraprinë dhe që u zhvilluan paralelisht, sepse asnjëra prej tyre nuk ishte degë e një qendre të vetme. Në Berkeley të Kalifornisë, që në vitet 1964-1967, lëvizja për Lirinë e Fjalës u ngrit kundër ndalimit të aktivitetit politik në kampus dhe e ktheu universitetin nga vend studimi në hapësirë debati politik, duke u lidhur shpejt me kundërshtimin e luftës së Vietnamit. Në Gjermaninë Perëndimore, studentët kundërshtonin strukturat konservatore të shtetit dhe të universitetit, përqendrimin mediatik dhe mungesën e përballjes së plotë me të kaluarën naziste; konflikti aty ishte edhe brezash, kërkesë për llogaridhënie nga një elitë që konsiderohej e pandryshuar. Në Pragë, Pranvera e Dubçekut në vitin 1968 nuk ishte thjesht revoltë studentore, por përpjekje e gjithë shoqërisë për një socializëm me fytyrë njerëzore, ku studentët ishin pjesë e kërkesës për liri shprehjeje dhe debati, deri sa ndërhyrja e Traktatit të Varshavës në gusht tregoi kufirin që Moska vendoste për reformat. Në Itali, mes viteve 1967-1968, protestat për reformën universitare në Milano dhe Torino u takuan natyrshëm me pakënaqësinë punëtore në fabrika, duke krijuar terrenin për vjeshtën e gjatë të konflikteve të punës. Në Japoni, lëvizje të fuqishme të së majtës kundërshtonin administrimin autoritar të universiteteve dhe rolin e Tokios në strategjinë amerikane në Azi, duke dëshmuar se revolta nuk ishte vetëm produkt evropian. Në Poloni, në marsin e vitit 1968, studentët dolën kundër censurës dhe ndërhyrjes politike në jetën universitare, ndërsa regjimi iu përgjigj me shtypje dhe me një fushatë antisemitite. Dhe në Meksikë, më 2 tetor 1968, vetëm dhjetë ditë para Lojërave Olimpike, një lëvizje që nisi si përplasje me policinë dhe kërkesë për lirimin e të burgosurve politikë përfundoi në masakrën e sheshit Tlatelolco, ku demonstrata u shtyp me gjak. Numri i saktë i viktimave mbetet i debatueshëm, por ngjarja tregoi anën tragjike të atij viti: kur shteti e sheh protestën si kërcënim ekzistencial, ndryshimi i saj nga Parisi bëhet i thellë.
Parisi
Franca ishte vendi ku e gjithë kjo pakënaqësi e shpërndarë u shndërrua në krizë kombëtare. Në fund të viteve gjashtëdhjetë, sistemi universitar francez vuante nga mbipopullimi dhe nga një pedagogji e vjetër. Në kampusin e Nanterre-s, në periferi të Parisit, u formua Lëvizja e 22 Marsit, e cila më 22 mars pushtoi administratën. Më 3 maj, pas mbylljes së Nanterre-s, protesta u zhvendos në Sorbonë, policia ndërhyri dhe arrestoi studentë, dhe përplasja nuk ishte më mes administratës dhe studentëve, por mes autoritetit shtetëror dhe të drejtës për të protestuar. Nata e 10-11 majit, e njohur si nata e barrikadave në Lagjen Latine, u kthye në pikë kthese, sepse pamjet e dhunës policore në media krijuan solidaritet kombëtar dhe e nxorën krizën jashtë kampuseve. Më 13 maj, sindikatat iu bashkuan studentëve dhe aty ndodhi kthesa vendimtare: revolta studentore u bë grevë e përgjithshme, me miliona punëtorë që ndalën fabrikat, transportin dhe shërbimet. Franca u paralizua. Në fund të majit, Marrëveshjet e Grenelle-s ofruan rritje pagash dhe përmirësim të kushteve, por një pjesë e bazës i refuzoi, ndërsa presidenti Charles de Gaulle, i gjendur përballë një situate që nuk zgjidhej më me polici, shpërndau Asamblenë Kombëtare më 30 maj dhe thirri zgjedhje të reja. Në qershor, kampi gaullist doli më i fortë se kurrë. Ky është paradoksi i Majit 1968: lëvizja që vuri në pikëpyetje autoritetin e rendit politik nuk arriti ta rrëzojë atë, por pati forcën ta paralizojë dhe ta detyrojë të negociojë.
Parisi u bë simbol pikërisht për këtë arsye, sepse aty u bashkuan në një krizë të vetme tri kriza të ndryshme: e universitetit, e marrëdhënieve shoqërore dhe e pushtetit politik. Greva e përgjithshme i dha revoltës studentore një peshë ekonomike që protestat e izoluara nuk do ta kishin pasur kurrë. Sorbona i dha peshë historike, barrikadat evokuan kujtesën e revolucioneve franceze, ndërsa televizioni e shndërroi krizën në imazh global.
Zhvendosja
Megjithatë, fuqia simbolike nuk duhet ngatërruar me fitoren politike. Revolucionet studentore nuk e rrëzuan kudo pushtetin, por zhvendosën debatin. Ato vunë në diskutim autoritetin pa llogaridhënie, kërkuan që universiteti të mos trajtohet si fabrikë diplomash por si hapësirë publike, hapën diskutimin për pagat, kushtet dhe pjesëmarrjen në vendin e punës, për luftën e Vietnamit dhe ndërhyrjet ushtarake, dhe për normat kulturore mbi lirinë personale, familjen dhe hierarkinë.
Sfida 2026
I njëjti mekanizëm, por me gjuhë tjetër, po shfaqet në vitin 2026. Nëse në 1968 studentët sfiduan një rend të pasluftës që e konsideronin tepër hierarkik dhe autoritar, në 2026 një pjesë e të rinjve sfidon institucione që i konsideron të padrejta, të papërgjegjshme ose të paafta për t’u garantuar arsim cilësor dhe perspektivë ekonomike. Ngjashmëria nuk është te parullat, por te fakti se arsimi është vetëm pika e nisjes dhe se pakënaqësia për auditorët lidhet shpejt me qiranë, çmimet, punësimin dhe perceptimin se diploma nuk garanton më siguri. Dallimi thelbësor qëndron te gjuha dhe te mjetet. Në 1968 një pjesë e madhe e lëvizjes fliste gjuhën e ideologjisë së madhe: Lufta e Ftohtë, marksizmi, anti-kapitalizmi, revolucioni si projekt për të ndryshuar shoqërinë. Në 2026 gjuha është më konkrete dhe më e fragmentuar: financimi i universiteteve, transparenca, korrupsioni, drejtësia në provime, kushtet e jetesës. Nuk kërkohet domosdoshmërisht përmbysja e sistemit, por funksionimi i tij. Edhe mënyra e organizimit ka ndryshuar rrënjësisht. Në 1968 organizoheshe me mbledhje në auditorë, fletëpalosje dhe komitete; mobilizimi ishte i ngadaltë, por krijonte lidhje të forta. Në 2026 organizohesh me rrjete sociale, grupe mesazhesh dhe video live; një video nga kampusi përhapet në minuta, është më e lehtë të mobilizosh, por më e vështirë të ruash unitetin, sepse një hashtag nuk zëvendëson programin dhe përfaqësimin. Tri fotografi nga ky vit e tregojnë këtë pa e kthyer krahasimin në analogji të rreme. Në Shqipëri, në tetor 2026, pakënaqësia për kushtet e arsimit dhe koston e jetesës u ndërthur me akuza për korrupsion dhe mungesë perspektive, duke u zgjeruar nga protestë studentore në pakënaqësi qytetare me përplasje me policinë, që tregon se si çështja universitare bëhet krizë besimi ndaj qeverisjes. Në Francë, në të njëjtin tetor, protesta të nxënësve dhe studentëve për mungesë mësuesish dhe financim u lidhën me pakënaqësinë për koston e jetesës dhe dobësimin e shërbimeve publike, e njëjta dinamikë nga arsimi te shoqëria si në 1968, por në një kontekst krejt tjetër. Në Indi, në verën e vitit 2026, skandali i rrjedhjes së pyetjeve për provimin e mjekësisë nxiti protesta kombëtare që nisën nga një çështje teknike dhe u kthyen në debat për integritetin e institucioneve, duke treguar se sot revolta nuk ka nevojë për një ideologji të madhe për t’u bërë politike, mjafton një padrejtësi që prek drejtpërdrejt të ardhmen.
Epilog
Maji i Parisit dëshmoi se një lëvizje mund të trondisë një vend pa marrë pushtetin. Protestat e vitit 2026 po dëshmojnë se as viraliteti dhe as zemërimi masiv nuk garantojnë vetvetiu sukses. Viti 1968 nuk e përmbysi botën, por e bëri të pamundur që bota të pretendojë se asgjë nuk duhet ndryshuar. Sfida e sotme mbetet e njëjtë, vetëm më e vështirë: revolta nis kur një brez nuk pranon më gjendjen ekzistuese, por ndryshimi i qëndrueshëm fillon vetëm kur ai brez arrin të ndërtojë diçka që mund ta zëvendësojë, organizim, përfaqësim dhe kërkesa të verifikueshme. Ky është dallimi mes një shpërthimi dhe një transformimi.
