Last Updated on 18/10/2026 by Monika
Skuadra e Vora mposhti Partizanin me rezultatin 4-1 në sfidën e vlefshme për javën e shtatë të Kategorisë Superiore.
Kjo ndeshje shënoi një debutim me humbje për trajnerin e ri të Partizanit, kroatin Mislav Karoglan, i cili zëvendësoi në stol të larguarin Florin Bratu.
Rezultati u zhbllokua në minutën e 17-të nga Bernard Karrica, i cili shënoi nga mesfusha për t’i dhënë avantazhin fillestar vendasve.
Në minutën e 50-të, Karrica dyfishoi shifrat duke realizuar një penallti të akorduar pas prekjes së topit me dorë në zonë nga Pasagiç.
Partizani ngushtoi përkohësisht rezultatin në minutën e 62-të me anë të një tjetër penalltie, të ekzekutuar me sukses nga Human. Megjithatë, Vora thelloi sërish avantazhin në minutën e 73-të me një gol të shënuar nga Clement, ndërkohë që në minutën e 85-të vendasve iu anulua një tjetër gol me VAR.
Në minutën e 92-të, Karrica kompletoi tripletën e tij personale, duke vulosur shifrat përfundimtare të takimit në 4-1.
Pas kësaj përballjeje, Vora ngjitet në vendin e pestë me tetë pikë, ndërsa Partizani mban vendin e fundit me katër pikë, duke regjistruar humbjen e katërt radhazi dhe një rekord negativ prej 17 golash të pësuar në shtatë javë./MXH
