Last Updated on 21/10/2026 by EL
Një pretendim për dërgimin e forcave të shumta policore italiane në Shqipëri ka nisur të qarkullojë në rrjetet sociale, duke sjellë edhe reagimin e Agjencisë për Media dhe Informim.
Në një mesazh të shpërndarë në internet, një qytetar pretendon se kryeministrja italiane Giorgia Meloni po dërgon efektivë policie nga Italia për kryeministrin Edi Rama.
Megjithatë, institucioni shqiptar ka ndërhyrë për të përgënjeshtruar këtë informacion, duke sqaruar se pretendimet për dislokimin e forcave italiane në territorin shqiptar nuk janë të vërteta.
Reagimi vjen në një kohë kur protestat dhe tensionet e ditëve të fundit kanë qenë në qendër të vëmendjes publike, ndërsa në rrjetet sociale po shpërndahen informacione të ndryshme lidhur me situatën në vend.
MIA thekson se nuk ka pasur asnjë dërgim apo dislokim të forcave policore italiane në Shqipëri, në kundërshtim me atë që pretendohet në postimet që po qarkullojnë.
Reagimi i plotë i MIA-s:
“Në rrjetet sociale po qarkullon një informacion i rremë ku pretendohet se Italia po dërgon forca policie në Shqipëri.
Ky informacion është i pavërtetë. Asnjë forcë policore italiane nuk është dislokuar apo dërguar në territorin tonë sipas këtyre pretendimeve”./ET
