Last Updated on 23/10/2026 by Anisa
Ardit Bido ka reaguar për rastin e të riut që u përplas në tokë nga një efektiv policie gjatë protestës, duke i bërë thirrje atij dhe familjes së tij që ta ndjekin çështjen deri në fund dhe të kërkojnë dëmshpërblim nga shteti shqiptar. I ftuar në emisionin “Top Story”, deputeti i PS u shpreh se nëse një efektiv policie tejkalon kompetencat e përcaktuara me ligj, ai duhet të largohet nga Policia e Shtetit. Megjithatë, sipas tij, veprimet e një polici nuk duhet të njollosin të gjithë institucionin.
Deputeti theksoi se policia ka monopolin e përdorimit të forcës në një shtet demokratik dhe se çdo qytetar që ushtron dhunë ndaj efektivëve duhet të mbajë përgjegjësi. Ai u shpreh gjithashtu se policia ka bërë përpjekje për të parandaluar përshkallëzimin e dhunës gjatë protestave.
Në përfundim, Bido i është drejtuar drejtpërdrejt të riut dhe familjes së tij, duke u kërkuar që të ndjekin rrugën ligjore për rastin dhe të kërkojnë dëmshpërblim nga shteti.
“Nëse një polic i caktuar tejkalon kufijtë që përcakton ligji, atëherë ai duhet të hiqet nga Policia e Shtetit. Por, nuk mund të bëhet pis e gjithë policia. Policia është organi i vetëm i forcës. Çdo qytetar që e dhunon, duhet të dënohet. Policia është i vetmi organ që mund të përdorë forcën. Policia ka monopolin e forcës në demokraci.
Ka mbrojtur sa ka mundur që protestat mos të jenë kaq të dhunshme. Ju po e bëni si normale dhunën ndaj policisë. I bëj thirrje atij djalit dhe familjes që ta ndjekin deri në fund atë rast dhe të kërkojnë dëmshpërblim ndaj shtetit shqiptar”, u shpreh Ardit Bido./ad
