Aktorja Jenna Ortega ka folur hapur për çrregullimin obsesiv-kompulsiv (OCD), me të cilin përballet që në moshën shtatëvjeçare, duke treguar se si kjo gjendje ka ndikuar në jetën e saj ndër vite dhe në rutinën e përditshme.
Në një intervistë për revistën Vogue, të publikuar më 22 tetor, aktorja 24-vjeçare kujtoi vështirësitë që përjetonte që në fëmijëri.
“Ishte sikur të kisha shumë trena të ndryshëm që lëviznin njëkohësisht brenda mendjes sime”, u shpreh ajo, duke përshkruar mënyrën se si i përjetonte mendimet e saj.
Ortega tregoi se, para se të nisej për në shkollë, zgjohej më herët se motrat dhe vëllezërit e saj për të kryer disa veprime të përsëritura, të cilat duhej të ndiqnin një rend të caktuar.
“Duhej ta hapja çarçafin në një mënyrë të caktuar, të hapja sirtarin në një mënyrë të caktuar dhe t’i krehja flokët ngadalë.”
Ajo shpjegoi se mendimet obsesive dhe nevoja për të përsëritur disa veprime vazhdojnë ta shoqërojnë edhe sot, ndërsa simptomat bëhen më të forta kur është e stresuar, e lodhur apo kur i duhet të përshtatet me ndryshimin e orarit pas udhëtimeve.
Mes ritualeve që vazhdon të ndjekë, Ortega përmendi përsëritjen e shprehjes “ki kujdes” një numër të caktuar herësh gjatë ditës. Gjithashtu, kur mbërrin në sheshxhirim, duhet të hedhë hapin e parë me këmbën e majtë, ndërsa mban frymën dhe numëron deri në 71.
Ylli i Wednesday tregoi se herë pas here kërkon ndihmën e një specialisti të shëndetit mendor dhe se ka marrë edhe trajtim me medikamente. Një nga mënyrat që e ndihmon të përballojë presionin është përpjekja për ta trajtuar çrregullimin si një lojë.
Edhe puna në sheshxhirim i shërben si një mënyrë për t’u çliruar nga tensioni. “Kur kamerat fillojnë të regjistrojnë, duhet të marrësh frymë”, shpjegoi ajo.
Kjo nuk është hera e parë që aktorja flet për përvojën e saj me OCD-në. Në një intervistë për Vogue në gusht të vitit 2025, ajo e kishte përshkruar çrregullimin si “mjaft intensiv”, duke zbuluar se për shtatë vjet kishte ndjekur “pikërisht të njëjtën rutinë”./mxh
