Last Updated on 26/10/2026 by Monika
Të miturit mund të mbajnë përgjegjësi penale nëse përfshihen në akte dhune apo kryejnë vepra penale. Këtë e ka bërë të ditur Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, përmes një videoje informuese të publikuar në rrjetet sociale, ku sqaron se, sipas legjislacionit shqiptar, përgjegjësia penale nuk fillon në moshën 18-vjeçare, siç mund të mendohet, por që në moshën 14 vjeç për krimet dhe 16 vjeç për kundërvajtjet penale.
“Përgjegjësia penale nuk fillon në moshën 18 vjeç. Sipas legjislacionit shqiptar, të miturit mbajnë përgjegjësi penale: nga mosha 14 vjeç për kryerjen e krimeve dhe nga mosha 16 vjeç për kryerjen e kundërvajtjeve penale”, u shpreh ministri.
Gogu paralajmëroi se përfshirja në akte dhune mund të sjellë pasoja penale edhe për të miturit, duke theksuar rëndësinë e njohjes së dispozitave ligjore që përcaktojnë moshën e përgjegjësisë penale.
Të njëjtin sqarim e dha në video edhe Burgela Allgjata, oficere e sigurisë në shkolla, e cila nënvizoi se kufijtë e moshës përcaktohen nga Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë.
Sipas Allgjatës, çdo rast duhet të shqyrtohet në mënyrë individuale, duke respektuar të drejtat e të miturit dhe garancitë ligjore që parashikohen për këtë kategori.
“Sipas Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, përgjegjësia penale fillon në moshën 14 vjeç për krimet dhe në moshën 16 vjeç për kundërvajtjet penale. Çdo rast i përgjegjësisë penale duhet të shqyrtohet individualisht, duke respektuar garancitë ligjore dhe të drejtat e të miturit”, u shpreh Allgjata.
Sqarimi vjen në një kohë kur vëmendja ndaj përfshirjes së të miturve në akte dhune dhe protesta është shtuar, ndërsa institucionet theksojnë rëndësinë e informimit për pasojat ligjore të veprimeve të kundërligjshme./mxh
