Last Updated on 27/10/2026 by Monika
Borxhi publik i Shqipërisë zbriti në 49.35% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në fund të shtatorit 2026, nga 52.92% në fund të vitit 2025, duke shënuar nivelin më të ulët në raport me ekonominë në më shumë se një dekadë.
Megjithatë, ndërsa në lekë stoku i borxhit ka shënuar rënie, i shprehur në euro ai ka arritur një nivel të ri rekord, i ndikuar edhe nga forcimi i monedhës vendase.
Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave në Buletinin Statistikor të Borxhit për tremujorin e tretë 2026, stoku i borxhit të qeverisë qendrore, përfshirë garancitë, arriti në 1.377 trilionë lekë në fund të shtatorit, nga 1.402 trilionë lekë në fund të vitit të kaluar.
Në vlerë absolute, borxhi është reduktuar me rreth 24.6 miliardë lekë, ose 1.8%, gjatë nëntë muajve të parë të vitit. Rënia e raportit të borxhit ndaj PBB-së është më e fortë se ulja e stokut në vlerë absolute, duke reflektuar edhe zgjerimin e ekonomisë nominale. Për vitin 2026, Ministria e Financave parashikon një PBB prej rreth 2.79 trilionë lekësh, nga 2.65 trilionë lekë në vitin 2025.
Të dhënat tregojnë se reduktimi i borxhit publik gjatë nëntëmujorit është ndikuar kryesisht nga rënia e komponentit të jashtëm. Borxhi i jashtëm, përfshirë garancitë, zbriti në 542.8 miliardë lekë në fund të shtatorit 2026, nga 569.6 miliardë lekë në fund të vitit të kaluar, me një reduktim prej rreth 26.8 miliardë lekësh.
Ndërkohë, borxhi i brendshëm u rrit lehtë, duke arritur në 834.2 miliardë lekë, nga 831.9 miliardë lekë në fund të vitit 2025. Në raport me PBB-në, borxhi i brendshëm u ul në 29.89%, nga 31.41% në fund të vitit të kaluar, ndërsa borxhi i jashtëm zbriti në 19.45%, nga 21.51%.
Struktura e borxhit vijon të dominohet nga financimi i brendshëm, i cili përbën rreth 60.6% të stokut të përgjithshëm, ndërsa borxhi i jashtëm zë pjesën e mbetur prej 39.4%.
Në krahasim me fundin e vitit të kaluar, raporti i borxhit publik me PBB-në është ulur me 3.57 pikë përqindje.
Pavarësisht uljes së stokut në monedhën vendase, borxhi publik i shprehur në euro është rritur. Sipas Ministrisë së Financave, stoku i borxhit të qeverisë qendrore, pushtetit vendor dhe borxhit të garantuar arriti në 14.96 miliardë euro në fund të shtatorit 2026, nga 14.48 miliardë euro në fund të vitit të kaluar. Rritja është rreth 476 milionë euro, ose 3.3%, duke shënuar nivelin më të lartë të regjistruar në serinë statistikore të publikuar nga Ministria e Financave. Kjo ecuri është ndikuar nga forcimi i lekut në raport me euron. Në fund të shtatorit, kursi i këmbimit ishte 92.05 lekë për euro, nga 96.77 lekë në fund të vitit 2025.
Megjithëse borxhi publik është ulur në raport me ekonominë, kostot e shërbimit të tij vijojnë të përbëjnë një zë të konsiderueshëm për financat publike.
Sipas Ministrisë së Financave, gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026, pagesat për interesat e borxhit arritën në 46.8 miliardë lekë. Nga kjo shumë, rreth 31.8 miliardë lekë u përdorën për interesat e borxhit të brendshëm dhe 15.1 miliardë lekë për interesat e borxhit të jashtëm./mxh
