Last Updated on 27/10/2026 by EL
Nga Adelina Pali
Aty ku flitet shqip, ende gratë vriten nga njerëz të familjes, nga kunetër, kushërinj e të afërm të bashkëshortëve. Ende paragjykimet e mentaliteti që e mban gruan nën gjykim e nën kontroll vazhdojnë të marrin jetë, edhe pse jemi në vitin 2026.
Ndryshojnë kohët, përparon bota, por për shumë gra, liria për të jetuar e sigurt mbetet ende një e drejtë e mohuar. Dhe pastaj vijmë ne, shoqëria, që shpesh dimë të flasim vetëm pasi ndodh tragjedia. Jashtëzakonisht e dhimbshme, kjo që ndodhi me Arlinda Zekajn.
Por ajo që më lëndon edhe më shumë është mënyra se si disa pseudo-media, pseudo-VIP-a e pseudo-njerëz e shndërruan dhimbjen e një fëmije dymbëdhjetëvjeçar në material për disa pëlqime e klikime. Postuan lotët e tij, pikëllimin e tij, plagën e tij më të thellë, sikur dhimbja të ishte një spektakël për t’u konsumuar nga publiku. O Zot, sa shumë na ka humbur ndjeshmëria! Kur dhimbja e një fëmije nuk na bën të ulim sytë me turp, por na nxit të nxjerrim telefonin për të fituar vëmendje, duhet të pyesim veten se çfarë ka mbetur nga njerëzorja brenda nesh.
Arlinda meritonte të jetonte. Meritonte siguri, mbrojtje dhe dinjitet. Por pas emrit të Arlindës nuk qëndron vetëm një tragjedi. Qëndron edhe një djalë dymbëdhjetëvjeçar, të cilit i është shuar bota që njihte. Një fëmijë që duhet të mësojë të jetojë me mungesën e nënës, pa pasur nevojë që dhimbja e tij të ekspozohet para mijëra syve kureshtarë. Lotët e djalit të Arlindës nuk janë për klikime. Dhimbja e tij nuk është për tu publikuar.

Kjo nuk duhet të mbetet vetëm një histori që sot na trondit e nesër e harrojmë. Duhet të jetë një thirrje për ndërgjegjësim, për solidaritet dhe për ndryshim. Duhet të kërkojmë drejtësi për Arlindën dhe të kërkojmë që çdo institucion të mbajë përgjegjësi për veprimet ose mosveprimet e veta, nëse hetimet vërtetojnë se ka pasur dështime.
Dhe ne gratë, duhet të mësojmë të jemi strehë për njëra-tjetrën, jo gjykatëse; mbështetje, jo burim paragjykimi. Të mos ia minimizojmë dhimbjen njëra-tjetrës, të mos e fajësojmë atë që kërkon ndihmë dhe të mos heshtim kur shohim dhunë. Sepse, nëse nuk mbrojmë njëra-tjetrën, nëse nuk e besojmë njëra-tjetrën dhe nëse vazhdojmë të ushqejmë paragjykimet që na ndajnë, shumë gra të tjera mund të mbeten të pambrojtura.
Arlinda meritonte të jetonte. Djali i saj meriton të rritet me dinjitetin e nënës së tij të respektuar. Dhe çdo grua meriton të jetojë pa frikë, pa dhunë e pa pasur nevojë të lutet që dikush ta dëgjojë.
Jemi në vitin 2026. Nuk duhet të jemi ende duke pyetur pse vriten gratë. Duhet të kërkojmë përgjigje se çfarë po bëjmë për t’i mbrojtur ato, para se të jetë tepër vonë.
