Last Updated on 28/10/2026 by EL
Ajo përfaqëson një ndryshim të rëndësishëm në drejtimin e politikës fiskale të vendit, duke e zhvendosur theksin nga mbledhja e të ardhurave buxhetore, drejt lehtësimit të kostos së jetesës për qytetarët dhe mbështetjes së konsumit.
Këto masa kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në uljen e shpenzimeve të përditshme të familjeve tona, por në rradhë të parë, të pensionistëve, punonjësve me të ardhura të ulëta, fermerëve dhe bizneseve të vogla, që përballen me kosto të larta transporti.
Kjo paketë mund të cilësohet si më socialja e 36 paketave fiskale të periudhës 1992–2026, duke parë përfitimin real për qytetarët, koston për buxhetin dhe mënyrën se si këto lehtësime do të reflektohen në çmimet përfundimtare.
Tabela 1. Paratë që përfitojnë qytetarët nga Paketa Fiskale 2027
Gjatë tranzicionit ekonomik, politika fiskale e Shqipërisë ka kaluar nëpër disa etapa, si krijimi i sistemit modern të taksave, vendosjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar(TVSH, viti 1996), zgjerimi i taksimit të konsumit, ndryshimet në tatimin mbi të ardhurat dhe fitimin, si dhe përpjekjet për formalizimin e ekonomisë.
TVSH-ja me normën standarde 20% është bërë një burim i rëndësishëm i të ardhurave buxhetore. Por, duke qenë një taksë mbi konsumin, ajo ndikon edhe në çmimet që paguajnë familjet. Pesha e saj ekonomike mund të jetë veçanërisht e ndjeshme për familjet me të ardhura të ulëta, të cilat shpenzojnë pjesën më të madhe të buxhetit për ushqime dhe nevoja bazë (60-75 përqind).
Në këtë logjikë dhe moral, një ulje e ndjeshme e TVSH-së për ushqimet dhe heqja e taksës së qarkullimit për karburantet përfaqësojnë një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën se si shpërndahet barra fiskale tek ne.
Në vend që të mbështeten vetëm tek të ardhurat e mbledhura nga konsumi, qeveria dhe shteti po synojnë t’u lënë më shumë të ardhura të disponueshme familjeve dhe të ulin disa nga kostot që ndikojnë në çmimet e mallrave dhe shërbimeve të përditshme.
Ky ndryshim do të ketë moral dhe kuptim social, vetëm nëse përfitimi fiskal do të arrijë i plotë tek konsumatori dhe nuk do të “hahet” rrugës nga pangopësia e tregtarëve, si peshku i madh i novelës së pavdekshme të Heminguejit “Plaku dhe deti”.
Ushqimet përbëjnë një nga zërat më të rëndësishëm të shpenzimeve familjare. Për këtë arsye, ulja e TVSH-së për produktet ushqimore bazë mund të jetë një instrument me ndikim të drejtpërdrejtë në fuqinë blerëse të tyre.
Nëse norma do të ulej nga 20% në 6%, diferenca do të ishte 14 pikë përqindjeje. Por është e rëndësishme të sqarohet se kjo nuk do të thotë automatikisht një ulje prej 14% e çmimit të ushqimeve të përditshme që paguan konsumatori: të miellit, bukës, gjalpit, qumështit, vezëve, kosit, djathit, mishit, etj.
Tatimi mbi Vlerën e Shtuar(TVSH) llogaritet mbi çmimin neto, ndërsa efekti mbi çmimin përfundimtar pas 1 janarit 2027 kur hyn në fuqi Paketa e Re Fiskale 2027, do të varet nga mënyra se si tregtarët e reflektojnë ndryshimin.
Prandaj dhe beteja TVSH e ulur-tregtar i pangopur fillon nga 1 janari 2026 dhe për këtë betejë, strukturat tona të tatimeve duhet të përgatiten mirë që tani, që kontrollet tek tregtarët e ushqimeve bazë të kërkojnë llogari të tipit “çfarë ka ndryshuar në strukturën tënde të shpenzimeve, që miellin( për shembull) deri më 31 dhjetor 2026 e shisje me 150 lekë çmim pakice dhe tani e shet me 145 lekë, ndërkohë që me TVSH 6 përqind duhet ta shisje 135 lekë?”
Nëse betejën e fitojnë kontrollet e tatimorëve, për pensionistët dhe familjet me të ardhura të ulëta, përfitimi mund të jetë veçanërisht i rëndësishëm.
Masa e dytë kryesore e shembulltyrës sociale të Paketës Fiskale 2027 është heqja e taksës së qarkullimit për karburantet. Në vitin 2025, Buxheti i Shtetit mblodhi 242 milionë euro nga kjo taksë. Kjo taksë ndikon në koston e përdorimit të automjeteve dhe, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, në kostot e transportit të mallrave dhe shërbimeve. Duke e hequr këtë takse dhe duke u kujdesur fort nga tatimorët, që efekti të reflektohet mirë në çmimin në pompë, përfitues do të jenë familjet që përdorin automjete për punë dhe nevoja të përditshme, fermerët dhe operatorët që transportojnë prodhime bujqësore, kompanitë e transportit të mallrave dhe udhëtarëve, si dhe bizneset që varen nga furnizimi dhe shpërndarja e produkteve.
Nga ana tjetër, ulja e kostove të transportit mund të ndikojë edhe në çmimet e produkteve, përfshirë ushqimet.
Prandaj dhe heqja e kësaj takse duhet të shoqërohet me transparencë mbi çmimet dhe me monitorim të kalimit të lehtësimit fiskal tek konsumatorët.
Ulja e TVSH-së për ushqimet dhe heqja e taksës së qarkullimit për karburantet do të vepronin në dy drejtime të lidhura me koston e jetesës.
E para synon të ulë drejtpërdrejt koston e shportës ushqimore. E dyta synon të ulë një pjesë të kostos së transportit, e cila mund të përfshihet në çmimin e një game të gjerë mallrash dhe shërbimesh.
Nëse të dyja masat zbatohen me efektivitet, familjet mund të përfitojnë si nga ulja e çmimeve të produkteve ushqimore, ashtu edhe nga lehtësimi i kostove të lëvizjes dhe transportit.
Për bizneset, ulja e kostove të karburantit mund të ndihmojë në përmirësimin e likuiditetit dhe konkurrueshmërisë, veçanërisht për ndërmarrjet që kanë shpenzime të konsiderueshme logjistike.
