Një grup restorantesh në Sardenjë do u ndalojë familjeve përdorimin e telefonave dhe pajisjeve të tjera në tavolinë, në një përpjekje për të inkurajuar bisedën.
Iniciativa, e quajtur ‘A tavola senza schermi’ ose ‘Në tryezë pa ekrane’, po drejtohet nga Anna Cau, avokatja e popullit për fëmijët në ishullin italian. Është pjesë e një fushate për të kufizuar përdorimin e tepërt të ekraneve nga fëmijët dhe për të frymëzuar ndërveprimin gjatë vakteve.
Prindërve dhe fëmijëve të tyre do t’u kërkohet të lënë telefonat mënjanë kur darkojnë në cilindo nga 15 restorantet që janë ofruar vullnetarisht për të marrë pjesë në skemë gjatë një ushtrimi pilot një-mujor që fillon javën e ardhshme.
“Ideja nuk është të mbështetemi vetëm te ndalimet ose t’ua lëmë barrën e përgjegjësisë tërësisht prindërve, por të sigurohemi që mjedisi ynë më i gjerë t’i mbështesë prindërit në rolin e tyre dhe t’i ndihmojë të miturit të integrohen me të tjerët. Ne kemi nevojë për mjedise të botës reale që forcojnë dhe akomodojnë jetën si të të rriturve ashtu edhe të fëmijëve. Kjo iniciativë është një hap i vogël brenda një filozofie më të gjerë që udhëheq qasjen time ndaj kësaj çështjeje shumë komplekse”, tha Cau.
Pasi familjet të dorëzojnë pajisjet e tyre, stafi i restorantit do t’u japë atyre një “kit ribashkimi” që përmban lojëra dhe vizatime. Kiti, i cili është projektuar nga federata italiane e pediatërve, synon të ndihmojë fëmijët nën 18 vjeç të fillojnë biseda me prindërit e tyre, të tilla si ndarja e historive rreth ditës së tyre.
Paketa përfshin një broshurë që përshkruan rreziqet e ekspozimit të tepërt digjital dhe këshilla se si të menaxhoni përdorimin e mediave sociale në shtëpi.
“Restorantet do të ofrojnë një aktivitet alternativ në formën e një loje që synon të nxisë ndërveprimin. Natyrisht, lojërat janë të strukturuara me kufizime kohore brenda kontekstit të një dreke ose darke në restorant”, sqaroi avokatja.
Cau punoi në skemë me degën Sardiniane të Fipe-Confcommercio, një shoqatë që bashkon sektorët e hotelerisë, turizmit dhe argëtimit.
Emanuele Frongia, president i federatës në ishull, tha se 15 restorantet kishin rënë dakord menjëherë të merrnin pjesë. Plani është që iniciativa të zgjerohet në bazë vullnetare.
“Restorantet luajnë një rol jetësor në nxitjen e intimitetit që familjet rizbulojnë kur darkojnë jashtë. Megjithatë, ne vërejmë gjithnjë e më shumë se gjatë këtyre momenteve bisedat e gjalla zëvendësohen me periudha heshtjeje ndërsa njerëzit shikojnë pajisjet e tyre. Shpesh një fëmije i jepet një për ta mbajtur të qetë”, tha ai./mxh
